Elbino: Zef përshëndetje! Ku gjendeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?
Zef Balbona: Për momentin gjendem në Los Anxheles, duke u marrë me modelim, ndërkohë sapo jam kthyer nga Londra, ku xhirova një film eksperimental.
Ju keni origjinë shqiptare… keni lindur këtu, apo në Shqipëri?
Unë kam lindur në Nju Jork, por prindërit i kam shqiptarë. Babai nga Thethi, ndërsa nëna nga Malësia. Ata momentalisht gjenden në Shqipëri, në Tiranë. Thethi është një nga vendet më të bukura në Shqipëri.
A keni qenë ndonjëherë atje?
Po! Isha verën e shkuar. Babai më mori mua dhe një kushëririn tim për herë të parë. U mrekullova! Shpresoj që të shkoj sërish, sapo të më jepet mundësia.
Si u futët në botën e modës dhe sa kohë keni që merreni me modelim?
Në fakt, më kanë zbuluar në rrugët e Nju Jorkut. Isha duke ecur për të shkuar diku dhe më ndalon Iwona Walluck, e cila më pyeti nëse isha i interesuar të bëja modelin. Kjo ndodhi në janar të 2008-ës e që atëherë kam vazhduar me modën. Një prej punimeve më mbresëlënëse ka qenë një video muzikore për një artist japonez. Kishte shumë modelë që merrnin pjesë dhe pata rastin të takohem me shumë njerëz cool, po ashtu si dhe kënga, e cila ishte një miksim japonishtanglisht.
Ju, gjithashtu, kryeni dhe sfilata (runway) e punime fotografike (print), apo jo?
Po. Kam sfiluar për stilistë të njohur si Marc Jacobs dhe kam bërë reklama për “Red Skins”, “Diesel” etj. Ajjj! Fiksim i kam Diesel! Duhet të më nisin ca kuponë me ulje çmimesh se aty i kam lënë lekët hahaha. Po juve, cili stilist ju pëlqen më së shumti? I preferuari im është John Varvatos. Ka disa prej kostumeve më të mira për meshkuj. Fiksim dhe koleksionin e këpucëve. Gjithashtu, mendoj se linja e tij për këtë vjeshtë është e paarritshme! Për mua, pantallonat dhe bluzat e tij janë super!
Vura re që po përpiqeni dhe të aktroni, bile keni pasur një rol në filmin “Body of Lies”…
Po! Kam pasur një rol në “Body of Lies” ku ka interpretuar Leonardio DiCaprio dhe Russell Crowe. Ishte një prej gjërave më të mrekullueshme që kam pasur mundësinë të bëj.
Ndonjë projekt tjetër filmi në të ardhmen? E shikoni vetën më tepër në modelim apo në kinematografi?
Për momentin nuk kam ndonjë projekt filmi, por shpresoj që me sukses të kaloj nga modelimi në aktrim me kalimin e kohës. Teatri dhe filmi kanë qenë gjithmonë gjërat që unë kam dashur të marr pjesë në të ardhmen.
Ne ju urojmë që t’ia arrini kësaj dhe ju falënderojmë për kohën që na dhatë! Suksese!
Faleminderit dhe juve! ps. Zef për momentin menaxhohet nga agjencitë “Hollywood Model Management” dhe “Dulcedo”. Përgatiti: Elbino