Sportive? Vetëm në palestër. Ekstravagante? Vetëm në skenë. E veshur me shije, e kombinuar, elegante e me taka të holla? Kudo. Sepse Xhemi Shehu investon për figurën që ka krijuar e nuk do të humbasë asnjë milimetër prej saj. Si? Zonjusha e tregon

I ka ndodhur dhe herë të tjera të bëjë ndryshime të rëndësishme në veshjen e saj. Nga ato që të djeshmen nga e sotmja e bëjnë shumë të largët. Si për shembull, kur e ndau mendjen që minifunde pub-eve apo mbrëmjeve me miqtë nuk do vishte më. Apo ai tjetri, sipas të cilit dekoltetë nuk do ta shihnin më dritën e diellit, te Xhemi që shkon në shkollë apo që mbaron ca punë të sajat paradite. Të dyja këto veshje paksa zhveshëse i rreshtoi në ato anë të dollapit ku sytë hidhen para ndonjë evenimenti apo shfaqjeje në skenë. Edhe aksesorët plot shkëlqim duken të eklipsuara këtë periudhë.
Megjithatë, këto as nuk krahasohen me atë që ndodhi me stilin e saj të veshjes vitin që ishte në Itali dhe përshtatjet e menjëhershme sapo shkeli sërish në Shqipëri. Duken si dy epoka të kundërta të gardërobës së Xhemit. “Në Romë nuk më njihte askush. Nuk e vrisja mendjen për modën apo për t’u kombinuar. Të gjithë visheshin thjesht. Unë dilja me atlete dhe veshje sportive. Ndihesha shumë komode ashtu. Por, me t’u kthyer, m’u desh të përshtatesha me stilin që vishen femrat shqiptare. Lëvizja e parë dhe e domosdoshme këtu janë disa palë këpucë me taka të larta. Në rast se unë nuk do t’i vishja, duke qenë se dhe më njohin, do fillonin komentet: “po Xhemi nuk qenka aq e gjatë sa duket në televizor”, “qenka veshur si për palestër”. Preferoj të mos shndërrohem në objekt vëzhgimesh”. Por vështirë! Se çfarë vesh vajza e njohur e ekranit, mund të kthehet lehtësisht në temë bisede për ata të cilëve u kalon pranë. Dhe ajo e di këtë. Kur i duhet të vendosë për veshjen, në peshore nuk vihet vetëm dëshira për t’u dukur bukur, për të ndarë rreptësisht skenën nga e përditshmja, por dhe ajo përgjegjësia e një vajze të njohur, me të cilën përballet sapo del nga pragu i shtëpisë.
Prandaj takat, pak për centimetrat që dhurojnë, pak për elegancën që i shtojnë ecjes, janë të pazëvendësueshme. Ndërsa pjesa tjetër në ditët kur shkon në shkollë, është e mbështetur në të zezën dhe të bardhën pak a shumë e të njëjtit format: xhinse të ngushta dhe lart një bluzë apo këmishë, mbi të një triko dhe në ditët e ftohta, palltoja. “Ky është dimri i parë që po vesh pallto. Më parë mbaja xhupa apo peliçe shumë të shkurtra”. Sa për grimin… “shfrytëzoj rastin sa nuk kam ndonjë angazhim në skenë që ta lë fytyrën të ajroset. Përdor vetëm pak pudër dhe mbrëmjeve shtoj pak grim në sy”. Ndërsa parfumi nuk mungon kurrë, asnjëherë i njëjti, por gjithmonë një i tillë në çantë, që këtë kohë mban logon “La prairie”. Për markën origjinale të tij është shumë e gatshme të shpenzojë, ashtu si dhe për fustanet apo veshjet me modele të papërsëritura, që zgjodhi në butikët e shtëpive të modës në Romë. Por ama nuk pranon që është lidhur aq shumë me firmat. Vesh edhe rroba jo të një firme të njohur, por që i duken mirë në trup. Vetëm se jo më të zgjedhura në butikët që rreshtohen rrugëve të Tiranës.
“Nuk kam blerë asgjë sa jam kthyer nga Italia. Nuk më bëhet të dalë butikëve, sepse atje munda të dalloj diferencën. Pastaj ende nuk kam ndier nevojën e një furnizimi të ri. Bëra shumë blerje dhe nuk vesha asgjë, sepse takat, veshjet elegante apo chic, të bëjnë të dukesh si jashtëtokësore atje. Sigurisht, shumica janë veshje vere, kështu ka qenë gjithmonë, por dhe ato të dimrit nuk mungojnë”.
Paradoksin e konsumon çdo ditë në vendin e saj, ku veshjet kanë një rëndësi serioze, por nuk është aspak e tillë marrëdhënia që kanë çmimet me origjinalitetin, duke qenë se ky i fundit është jo rrallë emri i mashtrimit.
Prandaj, në ka besim te çanta e madhe që përdor në jetën e përditshme, “Just Cavalli”, ashtu si çizmet me të cilat e kombinon, te xhinset “Guess”, te bluzat e xhaketat “Cavalli” apo te fustanet “Dolce&Gabbana”, është sepse këto i ka zgjedhur në Itali. Është rrethana më fatlume, sa i përket veshjeve, qëndrimi i saj në një nga vendet e quajtura si atdhe mode. Që bëhet edhe më i rëndësishëm kur mendon se ajo blerjet i ka të vetmin furnizim të gardërobës. “Deri në sot nuk kam frekuentuar asnjë stilist dhe çdo gjë që vesh e kam blerë dhe zgjedhur vetë. Ndërsa për veshjet e skenës mendon kostumografja”.
Në fakt, kur vjen radha e tyre ndryshimi ndihet, rëndon madje, si rëndojnë ato fustane që, dhe pse shumë të kursyera në copë, janë të tëra të qëndisura me temina, cingërima shumëngjyrëshe apo transparente, që synojnë një objektiv të vetëm: të shkëlqejë e të impresionojë për ato minuta që kamera e fokuson. “Por të mos kalojë në vulgaritet, ekstravaganca në skenë është e pranueshme. Unë nuk do dilja në një emision me xhinse. Minifundi e dekolteja shkojnë për në televizion”. Pra çdo gjë përshtatet, përveç lartësisë së takave të holla me të cilat ajo shfaqet dhe në rrugë. E, tek i vesh para se të dalë nga shtëpia, nuk çudit askënd. Që fëmijë e kanë parë mbi to. “Kur ishte e vogël, Xhemi shpesh vishte këpucët e mia me taka dhe vinte vërdallë nëpër shtëpi”, tregon e ëma.
Sot ama, këpucët me taka janë të sajat, i rrinë mirë pas këmbëve, i përkasin edhe një marke prestigjioze, janë dhe shumë në numër. Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Fundet dhe xhupat e shkurtër zëvendësohen. Takat kurrë!
Revista Jeta
Foto nga Xhemi Shehu http://www.galeriashqiptare.net/thumbnails-111.html