Fat dhe punë, çelësi i suksesit të Amit
Fati, në anën e saj, si dhe puna intensive e kanë shndërruar ndër vite Amarda Toskën në një balerinë të vlerësuar, një psikologe në profesion dhe prezantuesen e një prej spektakleve më të ndjekur në Shqipëri, “Portokalli”, i cili, përveç famës, suksesit dhe përvojës disavjeçare, i ka falur edhe dashurinë e jetës së saj. Përveç këtyre përvojave të vlefshme në jetën e saj, po provon së fundmi me sukses edhe rolin e biznesmenes. Së bashku me partnerin e saj, Ermalin, kanë në pronësinë e tyre një agjenci organizimi për ndodhi të ndryshme, e cila është puna e tyre e dytë e përbashkët, përveç “Portokallisë”.

E mësuar me intervistat e zakonshme, në lidhje me profesionin, i pëlqeu ideja për këtë “rrëfim” të pemës së saj gjenealogjike. Ami tregon me detaje për vitet e saj deri më sot, për çdo pjesëtar të familjes, si dhe për partnerin e saj. Me një përzgjedhje nga arkiva e saj fotografike, do të keni mundësi të shikoni ndryshimet ndër vite, por edhe të njiheni me të afërmit e saj.
Minibiografi
Amarda Toska lindi më 05.03.1982 në Tiranë, në lagjen “21 Dhjetori”, me babanë tiranas dhe nënën me origjinë nga Korça. Katër vitet e para të shkollës fillore i kreu në shkollën “Jeronim de Rada” në Tiranë. Edhe pse shkolla ishte larg prej shtëpisë së saj, e frekuentonte atë, pasi atje studionte edhe motra e saj më e madhe. Pas përfundimit të këtyre viteve, konkurron në Shkollën e Baletit, ku fiton konkursin. Këtu fillon të marrë jetë e të zhvillohet një nga pasionet e saj më të mëdha, baleti. E ndoqi këtë shkollë deri në përfundimin e gjimnazit.
Gjatë këtyre tetë viteve studimi për balet ka pasur eksperienca të shumta, duke u angazhuar në shfaqje të rëndësishme në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Bosnjë, Kosovë, Maqedoni etj. Në shkollë ishte nxënëse e mirë, e predispozuar për të mësuar, sidomos në lëndët shoqërore, të cilat do të ishin përcaktuese edhe për degën që më pas do të zgjidhte për të studiuar. Amarda e kujton veten si një vajzë të qetë e të shoqërueshme. Ishte pjesë e një grupi jo shumë të madh shoqëror, pasi edhe kurset në shkollë janë me pak nxënës, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të ditës, për shkak të shkollës dhe provave për aktivitete.
Edhe sot e kësaj dite e ruan miqësinë me një pjesë të grupit të saj të shkollës. Pas përfundimit të gjimnazit, në vitin 2000, në vitin 2003 filloi studimet për psikologji, një zgjedhje tërësisht e saj. Edhe pse nuk është penduar aspak që ka studiuar për vite të tëra për balet, është e mendimit se në Shqipëri baleti nuk është një profesion që mund t’i besosh të ardhmen, dhe vlerësimi për këtë profesion nuk e justifikon lodhjen. Ndërsa psikologjia i ka pëlqyer përherë, sepse, përveçse një profesioni më afatgjatë i ka falur dije dhe formim shumë të mirë. Në vitin 2007 përfundon studimet për psikologji.
Gjatë këtyre viteve ka pasur eksperienca të shumta televizive, duke filluar që nga angazhimi i saj në televizionin Klan, me trupën e baletit të Albi Nakos, në vitin 2001. Paralelisht me daljet e përjavshme me trupën e baletit iu ofrua të prezantonte “Net vere”, më 2002. Ka prezantuar gjithashtu për tre muaj një shorte të përjavshëm në TV Klan, gjatë verës së vitit 2003-shit, një konkurs të këngës popullore qytetare në Pallatin e Kongreseve me Silvana Braçe, por edhe prezantime koncertesh të ndryshme nëpër Shqipëri e Kosovë. Në vitin 2003 bëhet pjesë e audicionit për prezantues të spektaklit “Portokalli”, ku, pas rreth tri herësh audicioni zgjidhet për të qenë prezantuese e këtij spektakli, ku vazhdon të jetë edhe aktualisht. Gjithë këto vite në prezantim i kanë shërbyer mjaft për të marrë eksperiencë të mjaftueshme televizive. Ndërkohë që i është përkushtuar prezantimit, nuk ka ndër mend t’i rikthehet seriozisht baletit, por, falë fatit të mirë që ka për të qenë në televizion, here pas here aktivizohet me trupën e Top Channel, duke u shfaqur edhe si balerinë.
Familja e Amit

Babai i saj quhet Bashkim Toska dhe ka lindur më 26.04.1946 në Tiranë dhe profesioni i tij është inxhinier mekanik. Ka punuar si drejtor në shtypshkronjën “8 Nëntori”, kryeinxhinier etj.
Ami për babanë:
“Kam marrëdhënie shumë të mirë me babin. Është njeri shumë i qetë, i matur, jo shumë impulsiv. Me babin ngjaj më shumë si karaktere, na karakterizon e njëjta frymë për t’u marrë me gjërat . Është njeri shumë popullor, i dashur dhe i afrueshëm edhe që në momentet e para të njohjes . Kjo është diçka që bie në sy te të gjithë ata që e njohin.”
Mami i Amit quhet Suzana Toska dhe ka lindur më 06.02.1953 në Tiranë, por me origjinë është nga Korça. Ka studiuar për Gjuhë–Letërsi. Ka punuar për rreth 25 vjet librashitëse në librarinë e Rrugës së Durrësit.
Ami për mamin:
“Mami është më impulsive si tip dhe ndryshojmë pak nga njëra-tjetra. Motra i ngjan më tepër se unë. Me mamin kam marrëdhënie të ndryshme nga ajo me babin, por gjithashtu shumë të mirë. Të dy më mbështesin në zgjedhjet e mia, në shkollë, në profesion, në aktivitete. Kanë pasur përherë sensin e masës në kontrollin dhe ndikimin në fushat që unë kam zgjedhur. Nuk m’i kanë imponuar asnjëherë dëshirat e tyre, por nuk kanë qenë as neglizhencë në zgjedhjet e mia. Këtë e vlerësoj shumë te prindërit e mi.”
Motra e saj quhet Anila Toska dhe ka lindur më 18.04.1976. Ka studiuar për sociologji-filozofi në Shkencat Sociale dhe aktualisht punon në një biznes privat me bashkëshortin e saj. Motra e saj ka edhe një djalë 4 vjeç, Grein.
Ami për motrën:
“Edhe pse kemi 6 vjet e gjysmë diferencë në moshë, kemi marrëdhënie shumë të mira me njëra-tjetrën. Kemi shije të ndryshme në veshje, në look për gjëra të përcipta, por jo për gjëra thelbësore. Ndoshta kjo vjen nga diferenca në moshë. Që të vogla kemi qenë tipa të ndryshëm. Nëse unë doja të luaja apo vrapoja, ajo ishte më e përmbajtur dhe i pëlqente të lexonte ndonjë libër apo diçka tjetër. Edhe kur shkonim te libraria, ku punonte mami, unë dilja menjëherë, ndërsa ajo merrej më tepër me librat ose lozte me plastelinë. Edhe pse në vitet e fëmijërisë ndodhte kështu, më pas unë u tërhoqa, ndërsa ajo u bë më ekspresive. Sot takohemi paksa rrallë me njëra-tjetrën, për shkak të impenjimeve që ka secila, megjithatë komunikojmë shpesh në telefon. Megjithatë, nuk e lëmë të na kalojë java pa u takuar.”
Ami për nipin:
“Grei është fëmijë shumë i zgjuar e i shkathët. Ka raste kur pyetjeve të tij nuk di t’u japësh përgjigje. Edhe pse mund të jem e lodhur ose pa humor, kur e takoj Grein e harroj pjesën tjetër të ditës. Nuk e marr shpesh për të dalë Grein, sepse Anila e ka shumë merak dhe gjithmonë duhet të jetë ajo ose mami. Dhe natyrisht e gjithë vëmendja kthehet te Grei, sepse atij kurrsesi nuk mund t’i shpëtojë asnjë detaj i bisedave. Edhe me Ermalin ka marrëdhënie të veçantë. Kur takohen të dy behët një rrëmujë dhe zhurmë e paparë. Aq më tepër, që Grei e ndjek “Portokallinë” dhe ka lumturi kur takon Ermalin, pasi i duket sikur i ka ardhur teatri i kukullave në shtëpi.”
Partneri i Amit, siç e njohin të gjithë, quhet Ermal Mamaqi dhe ka lindur më 21.03.1982 në Tiranë, ndërsa me origjinë është nga Përmeti. Profesioni i tij i vërtetë është këngëtar, pasi ka përfunduar studimet për kanto, por punon edhe si aktor, DJ etj.
Ami për Ermalin:
“Të dyja punët që kemi na lidhin me njëri-tjetrin. Edhe në “Portokalli”, edhe në agjencinë që drejtojmë, jemi bashkë gjatë gjithë kohës. Tregohemi tolerantë me njëri-tjetrin aq sa nuk prishim punë, sepse kur një njeri e ke shumë të afërt është e vështirë ta ndash me përpikëri punën nga jeta private. Ermali është tip shumë i qeshur edhe jashtë spektaklit. Edhe pse nuk është aktor në profesion, e ka të lindur sensin e humorit. Nuk ia imponon puna. Cilësia që vlerësoj më shumë tek ai është iniciativa, rrjedhimisht zotëron edhe shumë energji, çka e shtyn përpara. Ndërsa një ves të tij, nëse mund ta quaj të tillë, është se sapo gjen një moment të lirë e sheh gjithë kohës duke shtypur tastierën e laptopit, ipod-it, iphone-it ose celularit. Unë nuk jam shumë e dhënë pas teknologjisë, ndaj mundohem t’ia tërheq vëmendjen.” (Qesh)
Kujtime të fëmijërisë

“Kujtoj nga fëmijëria që nuk shkoja rregullisht në kopsht. Shkoja dy-tri ditët e para të javës dhe pastaj doja të lozja në oborrin e shtëpisë. Gjithmonë i kam pasur qejf macet dhe një nga ditët më të trishtuara të fëmijërisë sime ishte kur më ngordhi maçoku që mbaja në shtëpi. Një nga kujtimet më të bukura ka qenë një ditë dimri, kur Tirana u zgjua e tëra e bardhë nga dëbora. E, duke qenë se këto ditë janë të rralla në kryeqytet, pata një ndjesi të veçantë. Atë ditë nuk bëmë mësim, por shkuam disa klasa bashkë diku afër shkollës, ku vetëm kemi lozur me borë e u bëra qull.”
Nga Genci Sulo Revista Spekter
AMI ME PELQEN SHUME PASI DI TA MENAXHOJE SHUME MIRE SITUATEN
je shum e mir kur te shoh ne tv me pushojn syt nga lodhja e dites, suksese dhe fat ne qdo aspekt te jetes.
o ami je nje yll e dashur ke nje sukses te papam
ami je 1 shi vazhdo keshtu me suksesin urime per portokalline sukse ne jete dhe vit te mbare
Ami eshte shuuuume e bukur dhe gjithashtu e zgjuar, endrra e cdo djali. Shpresoj shume qe nje dite te kem mundesine te takoj nje vajze si Ami.
P.S. Te them edhe dicka tjeter? Ah nje nate me Amiiiin…
Ami eshte shuuuume e bukur dhe gjithashtu e zgjuar, endrra e cdo djali. Shpresoj shume qe nje dite te kem mundesine te takoj nje vajze si Ami.
P.S. Te them edhe dicka tjeter? Ah nje nate me Amiiiin…
ami je e mrekullueshme je shume e bukur gjithashtu edhe ermali eshte shume i bukur te dyt jeni shume te bukur veq vazhdoni
Je e mrekullueshme ami