Cilat janë të rejat e fundit të grupit tuaj?
Besnik Çaka: Jemi duke e përgatitur një këngë të re, të cilës do t’ia realizojmë edhe spotin. Kënga titullohet “Rina”, tekstin e së cilës e ka shkruar Mithat Sadiku, kurse kompozimin e kam bërë unë. Ende nuk kemi vendosur se me cilin produksion do ta punojmë klipin. Kurse me këtë këngë, pra, “Rina”, do të marrim pjesë në festivalin “Top Fest”, që pritet shumë shpejt të nisë.
“Kosova Sot”: Si grup funksiononi shumë mirë. Mendoni se ky bashkëpunim i mirë ju sjell vazhdimisht suksese?
Besnik Çaka: Kjo është njëra nga shumë arsyet. Mirëpo, ne e duam dhe e respektojmë muzikën, sepse e kemi profesion, por edhe punë, sepse fitojmë prej saj. Shpresoj se kjo harmoni që është në grup të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Stili i të kënduarit
“Kosova Sot”: Këngët tuaja gjithmonë e kanë të njëjtin ritëm, pra, e kanë një lidhshmëri të mirë kënga me këngën. Si e arrini këtë?
Besnik Çaka: Ky është stili ynë i të kënduarit. Ne shpeshherë kemi hulumtuar për stile të ndryshme, por, prapë e kemi ruajtur elementin tonë dhe kjo na bënë origjinal, ashtu siç jemi. Dhe çdo këngë që e bëjmë e bëjmë me stilin dhe ritmin tonë.
“Kosova Sot”: Së fundmi, keni realizuar edhe një këngë për diasporën. Mendoni se ka qenë ide e qëlluar kjo këngë, kur dihet se sa shpejt është bërë hit kënga?
Besnik Çaka: Ne si grup jemi shpesh në mërgatë dhe gjithmonë sallat ku këndojmë ne janë të stërmbushura. Kjo ka qenë arsyeja pse ne e kemi bërë këtë këngë. Ne i kemi shumë borxh mërgatës, dhe t’ua kushtosh një këngë atyre është pak.
“Kosova Sot”: Besnik, keni menduar ndonjëherë të bëni karrierë solo, apo do të vazhdoni edhe në të ardhmen me grupin?
Besnik Çaka: Kam marrë pjesë si solo këngëtar në disa bashkëpunime të këngëtarëve, mirëpo, në të ardhmen do të vazhdojë të bëjë muzikë me grupin tim, mirëpo, herë pas herë do të kem edhe ndonjë bashkëpunim me ndonjë koleg.
“Shehidja” u
mirëprit nga publiku
“Kosova Sot”: Një ndër hitet e vitit të kaluar ka qenë edhe kënga e ripunuar “Shehidja”. Çka ju shtyri ta risillni për publikun ketë këngë?
Besnik Çaka: Kjo është një këngë, e cila është bërë para 25 vjetësh. Meqenëse ne jemi shpesh jashtë Kosovës, si ide për ta bërë këtë ripunim ka qenë i këngëtarit Beka dhe pastaj u bëmë bashkë edhe me humoristin Lecin dhe e bëmë këngën, e cila u mirëprit shumë mirë nga publiku.
“Kosova Sot”: Tash jemi në fillim të vitit 2011, keni bërë ndonjë plan për ndonjë këngë apo album të ri?
Besnik Çaka: Jemi duke e përgatitur albumin tonë të radhës, i cili do të jetë i katërti me radhë. Besojmë që ky album do të dalë në sezonin e verës, ndërsa tani jemi duke punuar intensivisht që albumin ta përgatisim sa më mirë dhe me kohë.
“Kosova Sot”: Mendoni se klipi ndihmon në arritjen e një kënge?
Besnik Çaka: Tani gjërat kanë ndryshuar, dhe mendoj se klipi e ka rëndësinë e vet, mirëpo, nuk është e domosdoshme. Po ua jap një shembull. Kënga jonë “Duam”, me të cilën morëm pjesë vitin e kaluar në “Top Fest”, nuk ka videoklip, por, në Shqipëri është hit, ndërsa në Kosovë nuk është shumë e njohur. Ajo që duhet thënë është se mjafton ta keni një këngë të mirë dhe t’ju pranojë publiku, pastaj vjen suksesi i këngës.
Intervistoi: B. ZYBERI

jeni shume te mire ,,une kam pas rast t`i degjoj duke kenduar edhe muzike popullore jeni shume te mire veq suksese