Myfarete Laze, ikona e këngës shqiptare

Posted on Mar 31 2011 - 12:33am by Berni
Categorized as
83
Tagged as

Flet këngëtarja më e suksesshme e viteve ‘60-‘80, e cila ka marrë 12 çmime në 14 festivale kombëtare.

Myfarete Laze (Vekshari): “Ja momentet më të lumtura dhe më të këqija që kam provuar në jetë”.

Myfarete Laze është cilësuar si një ndër ikonat më të ndritshme të këngës shqiptare. Ajo u ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1968 në një festival për fatosa që u zhvillua në Shkodër. Atëherë ajo ishte dhjetë vjeç. Kënga ishte kompozuar nga Xhavit Ujkani. Në vitin 1979, në Festivalin e 19-të të RTSH këndon këngën “Shoqet ilegale”, të kompozuar nga z. Agim Prodani, orkestruar nga Alqi Kareco dhe shkruar nga Xhuliana Jorganxhi, ku ishte partnere skene e Vaçe Zelës. Kjo këngë fitoi çmim të parë. Po këtë vit këndon këngën “Nën kurorën e ullirit” të kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe të shkruar po nga Xhuliana Jorganxhi. Kjo këngë u vlerësua me Çmim të Tretë. Pra, dy gëzime për të,  në një festival. Në çdo festival që ajo ka marrë pjesë është nderuar në çmim. Ka bashkëpunuar me kompozitorët e poetët më të mirë të muzikës dhe të  këngës shqiptare. Ka marrë 12 çmime në 14 festivale. Në këtë intervistë enkas për gazetën tonë ajo zbulon gjithçka nga repertori i saj artistik dhe privat duke na treguar gjithçka nga jeta e saj në skenë dhe në jetë.

Zj. Myfarete, jeni një ndër këngëtaret më të njohura në Shqipëri. Nga karriera juaj e gjatë artistike kë veçoni?

Veçoj momentin e marrjen së çmimit të Parë dhe të Tretë në Festivalin e 19-të në RTSH. Në natën “Gala” që u mbajt me rastin e 45- vjetorit të Festivalit në RTSH, së bashku me Vaçe Zelën, Ema Qazimin dhe Luan Zhegun, unë u shpalla ndër këngëtaret më të suksesshme të viteve ‘60-‘80-të.

Tani ju shohim të këndoni shumë rrallë? Përse?

As unë deri vonë se kam ditur përse-në e fillimit, por të vazhdimit ma thotë vetë jeta ime artistike. Një e dashuruar pas këngës, kështu do ta quaja deri sa të kem zë, pasi duartrokitjet, vlerësimi dhe dashamirësia e publikut më mbajnë gjallë.

Me se po merreni aktualisht? Në fushën e artit, apo në jetën e përditshme?

Në fushën e artit kam bërë disa krijime dhe bashkëpunime të bukura për aktivitete të ndryshme.

E kujtoni shpesh momentin kur u ngjite në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH?

Është një moment që nuk harrohet kurrë. Nuk e zëvendëson asgjë dhe që përjetohet veç një herë. Mendoni një vajzë të re që vjen pas shumë suksesesh në Shkodër dhe përballet në festivalin e RTSH me Vaçe Zelën, me gjiganden e këngës shqiptare, por mos harroni: unë vija nga Shkodra e këngës, rritur me zërin e Klotilde Shantonjës që  interpretoi në teatrin veror operën e parë shqiptare, “Mrika”. Vija nga Shodra e Marie Krajës, File Gjeloshit, Luqie Milotit, Nailes, Bikut, Ibrahimit, Xhevdet Hafizit dhe  plot të tjerëve. Pra, kishte ardhur koha e përballjes dhe,  kjo nuk më gjeti të pa përgatitur ndaj dhe triumfova në festivalin e 19-të, sepse vija nga Shkodra.

Keni lindur në Shkodër, ndërkohë që, me origjinë jeni nga Saranda? Çfarë e ndan dhe çfarë e bashkon vendlindjen me origjinën tuaj?

Po, prindërit e mi janë nga Saranda dhe janë vendosur në Shkodër në vitet ‘47. Ne të tre fëmijët kemi lindur në Shkodër. Do të thosha që ishim me fat që na vendosën në Shkodër. Pse do të thoni ju? Po s’është njësoi si në fshatrat e Beratit, Lushnjes, Kaçinarit të Mirditës, Thumanës, sepse kështu u shpërnda nga partia e asaj kohe fisi i babait tim. A s’ishim me fat? Shkodra e kulturës, e sportit, këngës, barcaletës dhe e humorit, shumë shpejt për prindërit e mi u bë një vendlindje e dytë. Ata rilindën dhe njëherë nga mikpritja e këtij qyteti, e sidomos për jabanxhinjtë. Shkodra më dha shumë nga vetja, sepse u rrita mes njerëzve me shpirt e humor të madh, mes bylbylave të këngës, operës, teatrit, instrumentistëve, këto mi fali Shkodra, Më rriti me shumë dashuri që nuk e prishi as lufta e klasave. Nuk më mohoi asgjë dhe i jam shumë mirënjohëse, sepse ju e keni me të dëgjuar, ndërsa unë me të jetuar dhe s’ka qenë shumë e lehtë. Por, Shkodra kjo është. Ndaj nga gjiri i saj burojnë e burojnë talente, sepse ajo fal veç dashuri e vlerë. Jeta artistike në qytetin tim ka qenë plot gjallëri dhe unë nuk kam munguar asnjëherë. Dua t’ju kujtoj, se në Shkodër në vitet ‘75-’90-të  ka pasur tre orkestra simfonike, ka qenë Pallati Punëtori, Klubi i Rinisë, Estrada, Shtëpia e Kulturës, shkolla “Prenk Jakova”, etj.. Vendlindja e prindërve, ose origjina ime më fali ndjenjën e mirënjohjes dhe këmbënguljen.

Dikur ju dhe disa nga kolegët e tu përbënit ajkën e këngës shqiptare. Takoheni shpesh me kolegët e brezit tuaj?

Ju flisni sikur brezi jonë është me galaktikë largësie. Ne jemi ende në kohë, ruajtëm e krijuam miqësi që çdo kush do na i kish zili. Prandaj për ne s’ka largësi, se talenti, mirënjohja e vlera ishin e janë tiparet tona. Si nuk e ruajmë miqësinë kur akoma në rrugë publiku na përqafon e na kërkon që të jemi më shpesh në skenë duke ma thënë: “Nuk ka si ju”. Këto janë fjalë që na shoqërojnë ditët tona. Ne na duan me shpirt dhe jo si politikanët prej frikës e interesit. Emri im po kalon në tre breza; njohja nga gjyshërit, prindërit dhe nga brezi i ri. Pyetni mbas pesë vjetësh për ndonjë karrigexhi, a do ta mbajnë mend? A po…, në qoftë se lë vepra të mira.

Para demokracisë ju ishit një ndër këngëtaret më të adhuruara. Edhe sot vazhdoni të jeni e tillë në publik, ndonëse këndoni rrallë. Keni pasur oferta për të kënduar?

Kush ju tha se nuk këndoj? Ju nuk i paskeni ndjekur daljet dhe krijimtarinë time pas viteve ‘90-të, suksesin e tyre dhe timin. Mbas viteve ‘90-të në krijimtarinë time deri më sot numërohen mbi 20 krijime të reja të kompozuara enkas për zërin tim. Po ju kujtoj disa: “Të ndez një shpresë”,  ndoshta të kujtohet refreni: “Kape ditën tënde, mos e mbyt atë me lot…, etj., dhe këngët “Për një grua”. “Po të lindja dhe një herë”, Trio me Sonin dhe Ervinin,“E Duam Çamërinë” me Shabanin dhe Aleksandër Gjokën, etj. Pa përmendur këtu pjesëmarrjen time në evenimentet më të mëdha të këngës. Oferta kam marrë plot.

Si hytë në rrugën e artit? Ju nxiti familja apo dikush tjetër?

Një fëmijë 10- vjeçar a e di se çfarë kërkon?! Kuptohet, familja e zbulon talentin brenda familjes dhe të nxit ta vazhdosh. Në rastin tim, babai më ka ndenjur shumë pranë deri sa ndërroi jetë. Gjithmonë më thoshte: “Po t’i këndoje gjithë ditën dhe shqetësoje komshinjtë që punonin me tre turne”. Vetëm Shtëpia e Pionierit i qetësoi ata.

Si të duket aktualisht ecuria e muzikës dhe e këngës shqiptare?

Ne jemi një komb i talentuar dhe me vjen mirë që po vazhdohet në këtë rrugë. Pavarësisht hallakatjes në vitet e para të  viteve ‘90-‘91-‘92. Tani krijimtaria është qetësuar dhe po vazhdon gjithnjë e më e sigurt.

Emrin Myfarete, cili jua vuri? Lidhet me ndonjë ngjarje apo personazh?

Nga gjuhet e lashta të Egjiptit, që do të thotë me u krenu, emrin ma ka ngjitur Daja, duket ka pasë ndonjë të dashur, sepse nuk asht emër shumë i përdorur .

Si ka qenë fëmijëria dhe rinia juaj?

E rrethuar me shumë dashuri. Si më e vogla që isha të gjithë më llastonin, Motra ime si më e madhe, kishim 5 vjet diferencë, më trajtonte si kukull, më krihte e ndërronte modelin e flokëve disa herë në ditë, më blinte fjongo nga të gjitha ngjyrat, këpucët, çorapet dhe fustanet do t’i rrinte nanës te koka deri sa t’i qepte ashtu si i zgjidhte ajo.

Cilat ishin ëndrrat e tua në fëmijëri dhe në rini?

Të këndoja bukur, të bëhesha një mësuese e mirë, të dhuroja dashuri, ose me mirë t’u gjendesha njerëzve në nevojë, sepse edhe neve na dhuroi shumë qytetaria Shkodrane

Na tregoni diçka mbi jetën tuaj familjare?

U rrita e rrethuar me dashuri. Kur po rritesha babai donte gjithmonë dhjeta në mësime dhe vazhdonte të më përsëriste: “Dhe pse nuk ju del shkolla, ju duhet të jeni të mrekullueshëm dhe gjynahun ta mbajnë ata. Kurrë nuk na ngarkoi me problemet e vështirësitë e shumta që ata të dy kalonin. Unë u rrita me një rrogë të nënës, sepse babai që në vitin 1972 u pushua nga çdo punë shtetërore. Vetëm se ishte shumë i zgjuar dhe i përmbajtur i’u shpëtoi arrestimeve e burgut. Kam kaluar sa e sa darka pa bukë, por shyqyr që ishte natë e na zinte gjumi,  pasi pinim 2-3 gota ujë. Por, libri na shoqëroi darkat e gjata të pa fund, sepse  kur je e re s’të zë as gjumi po nuk hëngre.  Libri na mbushte barkun, na lidhi më shumë me babën e me njëri-tjetrin. Deri në vitin 1983 nuk kemi patur televizor në shtëpi dhe prindërit e mi festivalet i shihnin te komshija. Mbrëmjet e gjata dhe pa televizor i kalonim duke diskutuar për librat, teatrin që kishim parë, estradën, ndeshje të basketbollit, pasi babai na merrte në Pallatin e Sportit me i pa ndeshjet e basketbollit e volejbollit

Krahas jush në familjen tuaj ka dhe të tjerë artistë?

Deri tani jo.

Na tregoni momentet më të lumtura dhe më të vështira në skenë dhe në jetë?

Somario

Një ndër momentet e mia më të vështira, ka qenë me 1 Shtator kur ndërroi jetë babai im në moshën 54- vjeçare dhe me 2 Shtator m’u desh të këndoja. Kur realizova koncertin tim të parë recital dhe nuk kisha asnjë nga familja në sallë dhe  kisha fëmijën e sapo lindur të sëmurë. Rast tjetër i keq është, kur më hoqën emrin dhe më ulën tre herë nga autobusi që do të na çonte jashtë shtetit. Momentet më të bukura për mua janë kur kam kënduar me Vaçe Zelën dhe marrja e çmimeve dhe duartokitjeve të shumta. Nga adhurimi për figurën time si artiste, kur më takojnë në rrugë më puthin duart, edhe pse jam bërë 52 vjeçe, apo kur kamerieri më thotë: “I ke të paguara nga ai çifti atje”. Taksistët që më shoqërojnë më shprehin falënderim që isha në makinën e tyre. Kur shkoj në ndonjë derë për ndonjë një nder apo hall të gjithë më presin me shumë respekt dhe mirënjohje.

Faleminderit!

Kush është:

Myfarete Laze, këngëtarja më e suksesshme e viteve ‘60-‘80

 

Çfarë veçon nga krijimtaria juaj e madhe artistike? Na tregoni festivalet dhe çmimet e marra?

Këngë hite të saj

”Shoqet ilegale”

Nën kurorën e ullirit”

“Nusja e maleve”

“Gjuha jonë”,

“Bozhuret”

“Pragu i vegjëlisë”

“Udhët e atdheut më thërrasin”

,“Nusja e maleve”, “Vendi im”

“Eja”

“Të ndez një shpresë”,

Për një grua”

“Po të lindja dhe një herë”,

Trio me Sonin dhe Ervinin

“ E Duam Çamërinë”

Na tregoni shkurt daljen tuaj të parë në skenë dhe çmimet e marra?

Për herë të parë jam ngjitur në skenë në festivalin për fatosa që zhvillohej në Shkodër në vitin 1968, me një këngë të kompozuar nga Xhavit Ujkani dhe isha 10 vjeç. Në 1979 në Festivalin e 19-të, të RTSH kam kënduar këngën “Shoqet ilegale”, të kompozuar nga z.Agim Prodani, teksti, Xhuliana Jorganxhi, orkestroi Alqi Kareco dhe isha partnere e Vaçe Zelës. Kjo këngë fitoi çmim të parë. Po këtë vit këndova dhe “Nën kurorën e ullirit” kompozuar nga Enver Shëngjergji, teksti nga  Xhuliana Jorganxhi. Kjo këngë u vlerësua me Çmim të Tretë, pra dy gëzime në një festival. Nuk e prisja, por ajo që më çuditi më shumë ishte dashuria e publikut në sallë dhe jashtë saj, një sukses i paparë. Publiku s’më lejonte të ikja nga skena, dhe mos harroni sa frikë kishim të duartrokisnim me shumë.

Mentor HOXHA Gazeta Telegraf

Leave A Response