Kur të gjithë mblidhen dhe grumbullohen pranë familjeve të tyre për ta pritur ndërrimin e
moteve, shumë nga emrat e njohur të estradës ora 24:00 do t’i zërë me mikrofon në dorë duke kënduar për simpatizuesit e këngëve të tyre. Të lexojmë se kush do të këndojë e kush do të festojë në familjet e tyre nga të njohurit tanë?
Sabri Fejzullahu, këngëtar: “Edhe këtë vit do të jam me ata që i dua shumë dhe që i kam zemër, pra me publikun dhe adhuruesit e mi. Më 31 dhjetor do të këndoj për mërgimtarët tanë që jetojnë në Zvicër, më 1 janar në Gjermani kurse më 2 prapë do të kthehem në Zvicër për të festuar me bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje”.
Loreta Kaçka-Lori, këngëtare: “Ka dhjetë vjet që unë për shkak të punës nuk mund t’i festoj më prindërit e mi. Kjo po më mungon, megjithatë këtë zbrazëtirë ma plotësojnë adhuruesit e mi, me të cilët gjithmonë ngrinim gotat kur ora shënon 24:00. Edhe këtë vit do të jam bashkë më ata. Natën e parë, pra më 31 dhjetor, do të këndoj në Shkup, më 1 janar do të jam në Preshevë në restorantin “Standard – Nexha”, ndërsa më 2 janar do të këndoj në restorantin “Moni” në Kaçanik”.
Arbnore Ademaj – “Miss Kosova 2007”: “Gjithmonë natën e parë të Vitit të Ri e festoj me familje. Ata janë njerëzit më të dashur për mua dhe meritojnë që të jem në mesin e tyre dhe bashkërisht të presim ndërrimin e moteve. Ndërsa, në netët tjera kam menduar që të dal më shoqëri. Ende nuk kam vendosur se ku do të jam, por mendoj se një natë ta kaloj në ndonjë mbrëmje në Pejë dhe një tjetër në Prishtinë”.
Shkurte Fejza, këngëtare: “Për ne këngëtarët kjo është punë dhe kur të gjithë festojnë me familjet dhe të afërmit ë tyre, ne duhet t’i argëtojmë. Edhe pse na mungojnë këto festa familjare, megjithatë edhe ne kënaqemi duke festuar më publikun tonë. Këtë vit unë më 31 dhjetor dhe 1 janar do të këndoj në Zvicër, kurse më 2 jemi në bisedime me disa vende por ende nuk e kam përcaktuar”
Rasim Thaçi-Cima, humorist: Pas tridhjetë vjetësh këtë vit do të jam në familjen time me gruan dhe fëmijët e mi. Gjatë këtyre viteve asnjëherë nuk kam mundur që ta festojmë një motmot së bashku, prandaj është një gëzim edhe për mua por edhe për familjen time se këtë vit do të jemi së bashku. Nuk do jam pjesë e asnjë koncerti në asnjërën natë të këtyre tri netëve festive.
Adelina Tahiri, këngëtare: “Përkundër ofertave të shumta që kam pasur për të kënduar në shumë vende të ndryshme, kam vendosur që këtë vit të mos këndoj askund. Do të vijnë disa familjarë të mi nga bota e jashtme dhe kemi vendosur që familja ime bashkë më ta të presim dhe festojmë në Prishtinë. Këtë vit nuk do të këndoj për publikun, por për familjen time”
Fatmir Krasniqi – F-Kay, këngëtar: “ Këtë vit Vitin e Ri do ta pres me adhuruesit e mi. Më 31 dhjetor dhe 1 janar do të këndoj në “Insomnia”, ku natën e dytë bashkë më mua do të jetë edhe Blero, kurse më 2 janar prapë me Bleron do të këndojmë në Mitrovicë”.
Gjyste Vulaj, këngëtare: “ Viti i Ri do të më gjejë në Amerikë duke kënduar dhe festuar me bashkatdhetarët tanë. Natën e ndërrimit të moteve do të këndoj “live” në “Pennsolvenia”, më 1.01.2011 do të këndoj në “The Grand Prospect” Hall’ Brooklyn në Nju-Jork. Pas përfundimeve të koncerteve në Amerikë, më 5 janar do të udhëtoj për pushim disa ditësh në Florida-Majami, kurse nga 15 dhjetor bashkë me gjithë familjen do të shkojmë për pushime në Egjipt”.
Linda Markaj, modele: “ Në familjen tonë nata e parë festohet gjithmonë së bashku, kështu që edhe këtë vit do ta festojmë të mbledhur të gjithë në familje. Pas orës 24:00 do të dal për ta vazhduar festën në ndonjë vend ku atmosfera është më e mira. Më 1 janar nuk kam vendosur, kurse më 2 kemi menduar që bashkë me kolegët e fakultetit të festojmë në ndonjë vend të preferuar në Prishtinë”.
Teuta Krasniqi, aktore: Që nga koha kur kam qenë unë shtatzënë në Tarën, jemi dakorduar bashkë me Bleron që vitin e parë të Vitit të Ri ta festojmë së bashku në familje. Siç dihet Blero që shtatë vjet ka punuar, edhe kësaj herë ka pasur shumë ftesa nga diaspora për të kënduar, por për shkak të premtimit të njëri-tjetrit, ai i ka refuzuar të gjitha. Natën e parë do ta festojmë vetëm unë, Blero dhe Tara, ndërkaq dy netët tjera Blero ka me kënduar e unë do të festojmë te familja ime.
Edita Sopjani, këngëtare: “Zakonisht natën e parë e festoj në gjirin familjar, natën e dytë më shoqërinë time në ndonjë nga mbrëmjet që do të organizohen, ndërsa pak ditë më vonë do të këndoj në Zvicër”.
Arta Arifi, modele: “Vitin e Ri do ta festoj me familjen time dhe djalin, Gjinin, natën e dytë do të dal me shoqe në ndonjë vend, ku do të organizohet më së miri në Gjilan”.
Malësori, këngëtar: Kanë kaluar 7- 8 vjet që nuk kam mundur ta festoj Vitin e Ri në familjen time, dhe këtë vit kam menduar që të shkoj te familja ime në Mal të Zi. Do të vijnë shumë familjarë nga Evropa dhe besoj se do të kënaqemi duke festuar së bashku. Netët tjera më siguri se do dalim me shoqërinë time të atjeshme dhe do të argëtohemi dhe festojmë së bashku.
Laureta Meçi, aktore, këngëtare: “Netët e festës së Vitit të Ri do t’i kaloj pranë familjes sime në Athinë, Greqi. Puna dhe angazhimi im në Amerikë, më ka bërë që për shumë vite të mos arrij të festoj më familjen time, kështu që këtë vit, jam e lumtur që do të jam pranë tyre”.
Teuta Kurti, këngëtare: “Ka gjashtë-shtatë vjet që unë nuk e kam pritur festën e Vitit të Ri në shtëpi, dhe kjo më ka munguar kështu që këtë vit do të jam me familjen time, ndërsa në netet tjera ndoshta bashkë me të fejuarin Dardanin dhe shoqërinë tonë do të shkojmë në Rugovë”.
Orgesa Hoxha – modele : “Deri në orën 24.00 do të jam në familje, pas kësaj ore festën do të dal më shoqëri në ndonjë mbrëmje festive. Ndërkaq për netët tjera ende nuk kam vendosur”.
Hysni Klinaku- këngëtar: “Me datën 31 do të jam së bashku më familjen time të gjërë, me 1 dhe 2 janar do të këndoj në restorantin “Brilant” në dalje të Prishtinës. Shpresojmë se do të kalojmë mirë gjatë tri netëve”.
Orinda Huta – këngëtare: “Vitin e Ri do ta pres në familjen time, sepse ka tri vite që nuk e kam festuar më të shtëpisë sime. Dua që këtë vit të festoj dhe të kënaqëm së bashku me ta”
Hekuran Krasniqi – këngëtar: Pas dhjetë vitesh, këtë vit kam vendosur që ndërrimin e motmoteve ta pres në familjen time bashkë më bashkëshorten dhe vajzën e vogël e cila sivjet na është ardh në jetë. Me 1 janar do të këndoj në klubin “Duplex” në Prishtinë, ndërsa me datën 2 është organizuar një parti shoqërorë ku jam i ftuar për të i argëtuar”.
Yllka Deliu – këngëtare: Festen e Vitit të Ri do ta festoj bashkë më familjen time në Skenderaj. Natën e parë e kam një ofertë për të kënduar, por ende asgjë nuk është konkretizuar, ndërkaq natën e tretë do të festoj më shoqërinë time në Prishtinë.
Gazeta Zeri