Ishtë një natë “gala”, që për shumë të pranishëm atje mund të konsiderohej nata e nostalgjisë dhe e kujtimeve. Ishte data 20 dhjetor e vitit 2001, kur në ekranin më të ri shqiptar, “Top Channel”, u dhanë lajmet e para.
Ishte denoncimi i një marrëveshjeje qeveritare, që lejonte marrjen e rërës nga gjiri i Gjipesë në bregdetin e Jonit, për ta dërguar në ishullin e Korfuzit. Një lajm ky që do të ndiqej nga shumë të tjerë. Po kështu morën jetë njëri pas tjetrit edhe programe e emisione, si: “Shqip”, “Fiks fare”, “Top Show”, “Top Story”, “Portokalli”, “Big Brother Albania”, “Top Fest” etj. Të gjitha këto erdhën në festën jubile të “Top Channel” përmes një retrospektive, ku u shfaqën disa nga momentet më pikante që ka kaluar ky televizion, që nga skepticizmi i fillimit deri në ditët tona.
E në këtë retrospektivë, nuk mund të mos vije re se diçka mungonte. Ishin të ikurit ndër vite nga ky televizion ata që për shumë kohë u konsideruan si ikona, si fytyra që nëpërmjet tyre shpesh identifikohej dhe programi apo emisioni. Që nga ish-dyshja e famshme që drejtuan “Portokalli”, Agron Llakaj e Amarda Toska, si dhe aktorë të tjerë të këtij spektakli.

Nuk kishte se si të mos vihej re edhe mungesa e Adi Krastës, i cili gjatë këtij viti ishte ishte moderator i dy programeve, “E diell” dhe “100 milionë”, por që vetëm 2 muaj më parë hoqi dorë prej të gjithave.

Ai dha dorëheqjen nga “Top Channel” pas disa vitesh punë atje e, siç duket, edhe nga festat e këtij televizioni. Ndërkaq, në pasazhet retrospektive rreth programeve që bëheshin në ekranin gjigant të TOB-it, aty ku edhe u zhvillua mbrëmja gala e “Top Channel”, organizatorët kanë qenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e personazheve që pasqyroheshin.
Por duket se janë ndarë me aq mllef, sa në këtë jubile, ku ishin më shumë të ftuar sesa mund të imagjinohej, ata mungonin. Kjo ishte nata ku u shfaqën të gjithë të veshur klas, pothuaj të gjithë çift, duke u bërë bashkë edhe ata që kanë mosmarrëveshje mes kolegësh apo inate personale.
PanoramaPlus

