Intervistë me këngëtaren Juliana Pasha. Çmimet dhe vlerësimet si më e mira për të nuk kanë të ndalur. Tash vonë ajo bashkë me këngëtarin Luiz Ejlli u vlerësuan me çmimin e parë në festivalin “Kënga Magjike”, ndërsa në fillim të këtij viti ajo prezantoi Shqipërinë në Eurovision.
Infopress: Në cilin nga raftet tua e renditët trofeun e çmimit të parë të “Këngës Magjike” dhe aktualisht cili është numri i çmimeve të fituara deri më tash?
Juliana: Në të vërtetë kam një kënd të veçantë në shtëpi ku kam vendosur të gjitha çmimet e fituara dhe nuk janë pak, por plot 10 çmime të ndryshme.
Infopress: Si po ndiheni kur gjithçka ka përfunduar sa i përket garës së fundit?
Juliana: Ndihem e kënaqur si asnjëherë tjetër, pasi ky çmim ishte tepër i veçantë, për faktin se vetë kolegët na vlerësuan dhe na dhuruan çmimin e parë.
Infopress: Është folur qysh para festivalit se ju do të jeni fituesit, megjithatë pas natës finale këngëtarët vlerësuan se ishte çmim me meritë. Pse mendoni se u përfol në këtë mënyrë, ishte tendencë e ndokujt për t’ju dëmtuar apo thjesht kënga ishte vlerësuar para kohe. Cili është komenti juaj?
Juliana: Mendoj se kjo këngë që në momentin e parë në prezantimin e bërë në “E Diela Shqiptare” u pëlqye dhe fitoi simpatinë e publikut, gjë që solli edhe komente pozitive drejt saj si një fituese e mundshme. Megjithatë, unë dhe Luisi ishim koshient se gara ishte tepër e fortë, ndaj nuk i menduam gjatë komentet e bëra.
Ende nuk e di se çfarë ka menduar Zoti për mua…
Infopress: Cila ka qenë marrëdhënia juaj me Luiz Ejllin gjatë kësaj kohe?
Juliana: Kjo është hera e dytë që ne bashkëpunojmë dhe sigurisht që jam shumë e kënaqur, pasi Luisi është një këngëtar me shumë vlera. Kemi kaluar një kohë të bukur gjatë gjithë periudhës së punës dhe mendojmë që këtë bashkëpunim ta çojmë më tej me një klip. Sigurisht që nuk ka munguar humori gjatë gjithë kohës, duke qenë se Luisi është një shkodran i thekur për humor.
Infopress: Nëse nuk do të fitonit ju, kush do ishte më meritori për çmimin e parë?
Juliana: E kemi pasur tepër të vështirë për të vlerësuar një këngë me çmim të parë, pasi “Kënga Magjike” kishte mjaft këngë të bukura, që ishin pretendente për çmimin e parë, megjithatë ne menduam dhe vlerësuam çiftin Radi & Krasniqi për një performancë të bukur skenike dhe një këngë melodioze.
Infopress: Ky vit mund të cilësohet si një nga vitet më të suksesshëm në karrierën tuaj. Keni përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, dhe tash rrëmbyet vendin e parë në “Kënga Magjike”. Ku shkojnë synimet e radhës?
Juliana: Ende nuk e di se çfarë ka menduar Zoti për mua, por do të ketë një periudhë të shkurtër pushimi për të rinisur punën me albumin, i cili ka mbetur përgjysmë.
Infopress: A keni provuar të shkruani vetë një tekst kënge?
Juliana: Këngët e mia të para janë shkruar, në fakt, nga unë, duke veçuar këtu “Milje larg”, “Flas me natën”, “Të humbas në ëndërr”, “Falje”, etj…!
Infopress: Kujt do t’ia dedikonit një këngë, në veçanti?
Juliana: Një nga tekstet e mia është shkruar për bashkëshortin tim Altinin dhe pikërisht kënga “Nuk mjafton të dua”, muzika e së cilës është kompozuar pikërisht nga Altini për mua.
Infopress: Bashkëshorti juaj gjithashtu vjen nga fusha e artit. Cili është vlerësimi i tij për ju?
Juliana: Altini është kritiku im më i madh për gjithçka bëj, por edhe vlerësuesi im më i madh gjithashtu. Pa mendimin e tij nuk do të bëja dot asgjë.
Infopress: Çfarë vërejtjesh ju bën ai, krahas lëvdatave?
Juliana: Mund të them që më shumë më bën vërejtje sesa lëvdata, pasi ai dëshiron që unë të jap gjithmonë më të mirën, ndaj, sido që të jetë, vërejtjen e tij unë e marr parasysh, pasi vjen vetëm për mirë. Kryesisht më bën vërejtje për nga ana muzikore.
Frika më e madhe është që të mos kem frikë
Infopress: Krahas planeve të karrierës, a keni ndonjë plan të afërt për të rritur numrin e anëtarëve të familjes?
Juliana: Kemi shumë dëshirë të kemi fëmijën tonë të parë, por jemi ende në pritje.
Infopress: Cila është frika jote më e madhe?
Juliana: Frika ime më e madhe është të mos kem frikë, pasi njeriu nuk mund të rrojë dot pa frikën.
Infopress: Çfarë nuk do të toleroje kurrë?
Juliana: Nuk më pëlqen ta toleroj ligësinë.
Infopress: Kur mendoni të vini në një vizitë të radhës në Kosovë?
Juliana: Miqtë e mi kolegë më kanë ftuar për të qenë së shpejti dhe jo vetëm për koncerte, por edhe për të ndenjur së bashku, ndaj besoj se pas festave të fundvitit do të jem në Kosovë dhe më saktë në Prishtinë.
Infopress: Diçka për fund që nuk u tha e do të dëshironit të shtoni?
Juliana: Ju falënderoj juve në radhë të parë që më dhatë mundësinë e kësaj interviste për t’u njohur më nga afër me publikun kosovar. Falënderoj të gjithë miqtë e mi nga Kosova, që më kanë dhënë një mbështetje të madhe në Oslo dhe ju uroj Vitin e Ri!
Jam ndier e nderuar se si më ka pritur publiku kosovar
Infopress: Cila është lidhja juaj me Kosovën?
Juliana: Për fat të keq, kam qenë rrallë, por në të gjitha ato herë që kam qenë jam ndier e nderuar për mënyrën sesi më ka pritur publiku kosovar. Jam ndier shumë krenare në Eurovision dhe në Oslo, teksa shihja me qindra shqiptarë nga Kosova që kishin ardhur për të më mbështetur. Ju falënderoj me gjithë zemër të gjithëve për patriotizmin e lartë që keni treguar jo vetëm për mua, por në çdo eveniment ku është përfaqësuar Shqipëria.
Çdo ditë e jetës – motiv për t’i qëndruar besnike Zotit
Infopress: Çdo kund nëpër intervista e keni theksuar besimin në Zot. Po sa i luteni Zotit?
Juliana: Jeta ime është e përqendruar çdo ditë te Perëndia. Nuk do të mund ta kuptoja ditën pa e falënderuar atë që e ka krijuar ditën dhe natën që është Zoti, ndaj çdo ditë e jetës time është një motiv më shumë për t’i qëndruar besnike Zotit.


