Grupi i njohur tetovar Elita 5 tashmë ka filluar përgatitjet për realizimin e albumit të ri. Ky projekt këtë radhë do të realizohet me përzgjedhjen e teksteve nga ana e fansave të tyre, për të cilët kanë hapur edhe një konkurs, ku ata mund t’i dërgojnë krijimet më të mira të tyre. Konkursi ka filluar dhe në adresë të tyre janë nisur shumë krijime, ndërsa anëtarët e grupit si fillim kanë bërë përzgjedhjen e 12 teksteve më të mira, kurse në javët në vazhdim fansa të tjerë kanë mundësinë të dërgojnë akoma krijime, sepse akoma nuk është bërë përzgjedhja përfundimtare. Pasi i kanë pranuar tekstet e para, grupi i ka publikuar disa nga tekstet për të marrë vlerësimet e të tjerëve. “Në adresën e e-mailit tonë kanë ardhur aq shumë tekste, saqë na duhet kohë për procedim. Po ashtu, ju lusim të përzgjidhni një ose dy nga krijimet tuaja më të mira kur i dorëzoni, ngaqë është shumë kohë konsumuese për stafin të skenojë dhe publikojë aq shumë tekste nga një konkurrent.
Sidoqoftë, konkursi vijon…Jeni më të mirët!”, theksohet në prononcimin e grupit dhënë në faqen e fansave në facebook. Albumi do të pasojë pas një kohe të gjatë pauze në krijimet muzikore, pasi për shkak të piraterisë në internet shumë këngëtarë nuk realizojnë kësij lloj projektesh, pasi investimi i dëmton financiarisht. Elita 5 vazhdon me koncerte në shumë vende, ndërkohë ngelet një nga grupet më të popullarizuara shqiptare ndër vite. Panorama