Fëmijët VIP: Përse prindërit vendosën t’i pagëzojnë me emra Biblikë

Posted on Mar 4 2012 - 9:01pm by Berni

Të pagëzosh një fëmijë është një gjë po aq e bukur sa edhe e vështirë në të njëjtën kohë. Besoj, të gjithë kemi dëgjuar zërat e shqetësuar nga padurimi për një emër të  bukur te miqtë tanë që presin të bëhen prindër, sidomos nëse fëmija është i pari.

Të gjithë, që disa muaj përpara momentit e ardhjes në jetë të bebes, fillojnë kërkimet për emrat më të veçantë, më të padëgjuar dhe fantazia në këto raste shkon me të vërtet në të gjitha hapësirat e në të gjitha kohërat. Shpesh ka bashkime, emra fetarë, emra që trashëgohen apo edhe emra që janë në modë ose trendi. Përzgjedhja e emrit ka edhe anën mistike, veç faktit që çdokush dëshiron një emër të bukur. Po nuk është vetëm ky meraku i prindërve. Të gjithë kur rritemi na pëlqen të dëgjojmë të na thonë sesa i bukur, sa i veçantë apo domethënien që ka emri ynë. Thua se nga emri varet fati apo e ardhmja. Ndonjëherë një emër i bukur duket sikur përcakton edhe një të ardhme po aq të bukur për atë që e mban. Emri, që në përshëndetjen e parë që i bëjmë botës kthehet befas në gjënë më të rëndësishme. Është moment kur të gjitha ëndrrat thuren sesa bukur do të tingëllojë emri kur ne do të jemi rritur. Kështu emri dashur-padashur bëhet zëri i një profecie dhe gjithçka më pas do të shkojë për përmbushjen e saj. Në shumë kultura emri është momenti më i rëndësishëm i një njeriu që vjen në jetë. Egjiptianët apo grekët e lashtë gjithmonë kishin një profeci pas emrit, gjurmë të të cilave ne i përdorim ende.

Kuptimet e emrave të foshnjave VIP

Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën ishte surprizë dhe i çuditshëm në të njëjtën kohë vendimi i Beyonce dhe Jay-Z për foshnjën e tyre të sapolindur. Çifti pohoi se do të merrnin patentë për emrin e Blue Ivy, pra ta regjistronin emrin si pronë të tyre. Me këtë patentë asnjë fëmijë tjetër në  botë nuk do të mund të quhet Blue Ivy. Gjëra të tilla sigurisht që nuk kanë ndodhur me personazhet shqiptarë, ku zgjedhja e emrave nuk ka pasur çmenduri të tilla, të diktuara nga fakti i të qenit Vip.

Sonila Meço ka zgjedhur ta pagëzojë vajzën e saj të parë me një emër shumë të veçantë. Amaris është emri me të cilën është pagëzuar foshnja, e cila ka qenë pjesë e kopertinave të revistave dhe gazetave qysh në barkun e s’ëmës. Amaris në fakt është një emër me orgjinë hebraike. Ai përkthehet ndryshe “fëmija i hënës”, kuptim që e ka këtë edhe në gjuhën dhe kulturën indiane. Por një version tjetër i këtij emri po në hebraisht është edhe “E premtuara e zotit”. Madje Sonila ndaj e ka zgjedhur këtë emër për domethënien e veçantë që ky emër ka. Në statistika të ndryshme në internet lidhur me emrin Amaris kemi zbuluar se ky është një emër i rrallë dhe jo i shumëpërdorur në botë. Ndaj Sonila Meço meriton një kompliment për këtë zgjedhje kaq unike për vajzën e sa të  parë.

Ledina Çelo: Ledina ishte një tjetër personazh i famshëm në listën e nënave të reja të dy viteve të fundit. Kanë qenë pikërisht vitet 2011 dhe 2012, plot me lajme të bukura lindjesh dhe shtatzënish për femrat e njohura të shou-bizit dhe ekraneve tona. Ledina Çelo u bë nënë për herë të parë në fund të prillit të vitit të kaluar. Djali i saj u quajt Erlis. Në fakt ky emër është i përbërë nga fjalë të shqipes siç është ‘erë’ plus fjala tjetër ‘lis’. Duket se bashkëshorti i Ledinës dhe ajo vetë janë kujdesur që fëmija i tyre, i cili po rritet në Gjermani, të ketë një emër që tregon jo vetëm origjinën por është edhe i veçantë në pjesën tjetër të botës.

Aurela Gaçe: Grace ka vendosur ta quajë Aurela vajzën e saj, e cila erdhi në jetë pikërisht në 12 nëntor të vitit të kaluar. Qëndrimi i gjatë i Aurelës në Amerikë duket se ka ndikuar edhe në shijet e saj, për të përzgjedhur një emër kristian. Në fakt origjina e këtij emri, i cili duket si emër amerikan apo anglez i ka rrënjët që nga Greqia e Lashtë. Në kohën e Homerit rrënja e këtij emri “charis” nënkuptonte e ëmbëlsi dhe tërheqje. Më pas, duke ardhur deri në ditët tona, Grace do të thotë “hiri i perëndisë” dhe është emër kristian.

Jonida Maliqi: Me këngën që i kushtoi në “Kënga Magjike” djalit të saj, ajo tha se sa herë këndonte ndjente Danin të lëvizte brenda saj. Në njëfarë mënyre ai pa ardhur ende në jetë kërcente me tingujt e muzikës. Këngëtarja e njohur Jonida Maliqi ka zgjedhur një emër të lashtë për fëmijën e saj të parë mashkull, Dan. Zgjedhja e Jonidës duket jo vetëm kuptimplotë por edhe e veçantë, pasi në Shqipëri ky është një emër thuajse i papërdorur fare. Origjina e këtij emri është gjithashtu biblike dhe ka kuptim në gjuhën herreje, edhe pse rezulton edhe si një emër i lashtë ilir. Dan është emri i një fisi të Izraelit, që  zbret nga Dani, i biri i Jakobit dhe Bilhah, shërbyesja e Rakelës. Vëllai i  vetëm i Dan është Neftali. Por përpara se të  ekzistonte fisi Dan, ishte një qytet me këtë emër, i përmendur në Luftën IV kundër Pesë Mbretërve (Zanafilla 14:14). Në Bibël po ashtu flitet për një qytet që quhej Laish, afër Beth-Rehobit, i cili është ngritur në tokë me një bandë të Danitëve. Ata e rindërtuan  qytetin dhe e quajtën atë Dan, sipas themeluesit të tyre. Studiuesit në Oxford të Biblës, megjithatë, pohojnë se ky qytet, Dan, është i njëjtë me atë të përmendur te (Zanafilla 14:14). Dan, i quajtur nga Rakela, e  cila shpjegoi: “Perëndia më ka gjykuar mua, dhe ka dëgjuar me të vërtetë zërin tim, më dha një bir” (Zanafilla 30:6). Ndërsa më vonë, Jakobi – i quajtur tani Izrael – mblodhi popullin e tij në shtratin afër vdekjes dhe u tha, “Dan do të gjykojë popullin e tij, si një nga fiset e Izraelit” (Zanafilla 49:16). Ky ishte kuptimi i emrit Dan, i cili, për shkak se nuk është emër i dëgjuar, na bëri përshtypje më tepër, dhe me të dhënat e mësipërme sipas origjinës së emrave, jemi përpjekur t’i japim shpjegimin e duhur. Gjithsesi, Jonida duhet të komplimentohet për këtë zgjedhje kaq interesante.

Soni Malaj: Anna, quhet vajza e Soni Malaj dhe Mirkos, balerinit të “DWS”. Soni për këtë emër ka thënë se i është vendosur fëmijës së saj për nder të gjyshes së Mirkos, bashkëshortit të saj. Ana është një emër i bukur edhe pse shumë i përdorur thuajse në të gjithë botën. Emri Ana është gjithashtu një emër me origjinë hebraike dhe ka domethënien: “Zoti më favorizon mua”. Por derivate të këtij emri gjenden edhe në shumë gjuhë të tjera si në atë latine p.sh.

Inis Gjoni: Inis Gjoni i ka vendosur foshnjës së saj të parë, një vajze të bukur, një emër tërësisht amerikan. Vajza e saj quhet Coco-Antonel. Kjo ka qenë dëshira e saj për të sapoardhurën në jetë dhe duke qenë se kemi një bashkim emrash kuptimi i vetëm i këtij emri nuk është i kollajtë, por Inisi e ka dhënë një shpjegim të këtij emri. Coco-ja, ka qenë personazhi i preferuar i Arjanit në komedinë “Salla e Banjës”, të cilën regjisorja e vuri në skenë në mars të vitit të kaluar, ndërsa Antonel, është gjinia femërore e emrit të babait të show-girl-it, të cilin Arjani e kishte taksur t’ia vinte fëmijës së tyre të parë.

Vikena Kamenica: Mexo-sopranoja e njohur Vikena Kamenica, e cila e solli në jetë fëmijën e saj të parë në fund të muajit dhjetor, e ka pagëzuar atë me emrin Krista. Pavarësisht kuptimeve të shumta që mund të ketë ky emër në gjuhë apo kultura të ndryshme, arsyeja pse Vikena e quajti kështu beben e saj ka një shpjegim shumë të bukur. Krista erdhi të përshëndeste botën në një ditë shumë speciale, të ngrohtë dhe plot dashuri. Ajo lindi më 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjes, ndaj dhe dy prindërit e rinj, Vikena me bashkëshortin e saj, vendosën ta quajnë Krista. Dhurata më e bukur që ata morën në fund të vitit 2011, lumturi në një ditë paqeje dhe dashurie.

Gerta Heta: Luna është emri që Gerta dhe Matko, futbollisti kroat, zgjodhën për vajzën e tyre. Luna erdhi në jetë në ditët e para të majit të vitit 2011 duke shtuar gëzim të ri në çiftin e sapomartuar. Të dy bashkëshortët e kishin vendosur si do ta quanin fëmijën e tyre të parë, që në ceremoninë e dasmës në dimrin e vitit 2010. Luna në shumë gjuhë të botës ka kuptimin e hënës, madje ashtu përkthehet në gjuhët me origjinë latine, si italisht p.sh. Në fakt origjina  e Luna vjen nga emri mitologjik i hënës te romakët e lashtë. Luna është hëna e Gerta Hetës me pak fjalë. Ky emër edhe pse është mjaft popullor në gjithë botën cilësohet si një emër mjaft i bukur për vajzat.

Elsa Lila: Vajza e Elsa Lilës ka një kuptim tërësisht origjinal. Ajo vendosi ta quajë ende pa ardhur në jetë, Evita, për nder të nënës së saj, e cila nuk jeton më. Në fakt ky emër sapo e dëgjon të krijon idenë e vazhdimësisë, ndoshta për shkak të rrënjës italiane “vitta”, që do të thotë jetë. Gjithsesi, emri është i bukur, kuptimplotë për Elsën dhe i veçantë njëkohësisht.

Jonida Hitoveizi MAPO

Leave A Response