Aurela Hoxha sapo ka nisur rrugëtimin e saj me reality-show-n “Albanian Next Top Model”, kësaj radhe jo vetëm si një prezantuese seksi, edhe si autore. “Po bëj autoren, sepse tanimë po bëj një jetë që po merrem me këtë gjë. Di të them që moda dhe televizioni janë dy gjërat më të rëndësishme për mua”, – shprehet ajo për “Standard”.
Fillimisht e nisi me botën e modës, pastaj të televizionit dhe edhe pse thotë se ka mbaruar studimet për Mjekësi e mandej për Juridik, shton se nuk e sheh dot veten larg këtyre dashurive që i ushqen për vite me radhë. Natyrisht që nga Aurela, vajzat adoleshente që aspirojnë modën, kanë shumë ç’të mësojnë; ajo merret prej vitesh me tv, herë pas here i lejon vetes luksin e shërbimeve të papara fotografike, po investon edhe për një të ardhme të ndryshme në jetë, sikurse është drejtësia apo politika. Politika?! “Po, politika”, – thotë Aurela, mund të jetë një tjetër arenë që ajo të zhvillojë vetveten dhe të njohë dimensione të tjera profesionale. Por, a do ta shohim me fustan të bardhë këtë vit prezantuesen seksi?! Lexoni intervistën e mëposhtme…
“Albanian Next Top Model” sapo ka çelur tiparin pranë STV, në edicionin e tij të dytë në Shqipëri. Do donim të dinim diçka më tepër rreth konkurrenteve…
Formati është i njëjtë, thjesht ka ndryshuar paksa stafi drejtues, pasi këtë vit unë nuk jam më vetëm prezantuesja, por edhe autorja e programit, ndërkohë që vitin e shkuar ka qenë autore zonja Andeta Radi. Po bëj autoren, sepse tanimë po bëj një jetë që po merrem me këtë gjë. Kam menduar disa gjëra të reja, pasi herën e parë ndoshta u bazuam pak te formati amerikan i “Next Top Model”, ndërsa këtë herë po sjellim diçka më tepër shqiptare. “Albanian Next Top Model” është një projekt, patentën e së cilës e ka blerë kompania audio-vizuale AA, janë ata që e kanë sjellë në Shqipëri. Transmetimi është çdo ditë në orën 18:00, ndërsa spektakli çdo të mërkurë në orën 21:00. Konkurrentet janë shumë të mira dhe besoj se vera do të na japë dorë që të bëjmë gjëra më interesante. Në fillim morën pjesë 40 konkurrente, vajzat përgjysmohen javën e parë duke u bërë 20, ndërsa javë pas jave, sipas formulës së këtij reality-show ka prurje të reja, eliminime etj.
A mund të themi se vajzat që marrin pjesë këtë radhë, janë më të stërvitura me fotografinë, ekranin etj?
Në fakt, vajzat që morën pjesë vjet në “Albanian Next Top Model” ishin marrë deri diku me sfilata, me pasarela, fotografi etj., ndërkohë që sivjet mund të them me plot gojën se kemi të bëjmë me vajza fillestare në modë, të vogla në moshë, diku te 14-15-vjeçare. Janë vajza shumë interesante dhe që e kanë ëndërr botën e modës.
Shpesh ekzistojnë shumë paragjykime në lidhje më vajzat e bukura. Ju si i trajtoni komente të tipit “Të bukura, por të palexuara”?
Mendoj se ka vajza të bukura që janë shumë inteligjente, si dhe e anasjella. Nuk e di ç’mund të them nisur nga eksperienca e “Albania Next Top Model”, sepse për moshën 14-15-vjeçare është herët të dalësh në konkluzione të tilla, duke qenë se ato janë në formim e sipër. Po të nisem nga brezi im, nga vajza që unë njoh, ka mes tyre që janë me universitet, me punë shumë të mira dhe që modelimin e kanë pasur ëndërr dhe e kanë realizuar. Kështu që nga kjo gjë nuk mund të dalësh në konkluzione të prera. Unë vetë e kam nisur me modelim, jam marrë më pas me prezantim, kam bërë universitete e të tjera me radhë… Në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende në botë, të vjen keq të pranosh se për këto vajza ka shumë pak mundësi për të ushtruar modelim. Këtu te ne e shohin vetëm si pasion, pasi nuk paguhen me rrogë, sikurse ndodh diku gjetkë. Pra, duhet vlerësuar iniciativa e këtyre vajzave.
Juve çfarë i siguroni vajzës që do të fitojë çmimin e parë?
Përveç përfaqësimit të Shqipërisë në “Top Model of the world”, që mundësohet falë patentës e blerë nga jashtë, dhe kontratave që mund të sigurohen atje, ne kemi edhe sponsorizime të tilla që të gjitha vajzat mund të bëjnë kontrata imazhesh dhe gjatë rrugëtimit të tyre në “Albania Next Top Model” mund të përfitojnë shumë më tepër. Pra, jo vetëm vajza e çmimit të parë do të ketë përfitime.
Keni marrë vetë pjesë në shumë evente jashtë Shqipërisë. Vajzat shqiptare që aspirojnë modën, a i plotësojnë kriteret për modele, sepse deri më tani modelja është konsideruar më tepër si Miss, pra i është dhënë më tepër rëndësi bukurisë sesa parametrave që duhet të plotësojë si modele…
Natyrisht që modelja nuk është Miss, por neve nuk do të na vinte keq që do ishte edhe e bukur përveç se duhet të plotësojë disa parametra të tjera. Megjithatë, ajo që ndryshon te vajzat shqiptare, ose të paktën te ky reality-show, është që pjesëmarrjet i kushtojnë shumë rëndësi bashkëjetesës, konflikteve dhe zënkave të shumta që krijohen aty, ndërkohë që jashtë Shqipërisë vajzat tentojnë më shumë të mësojnë gjëra rreth modës. Ndoshta në Shqipëri vajzat e ngatërrojnë këtë spektakël me reality-show si “Big Brother”, por gjithsesi them se me kalimin e kohës vajzat do t’i kristalizojnë më mirë idetë. Në fund të fundit, jemi vetëm në edicionin e dytë të këtij eventi.
Që të sqarojmë pak idetë, ç’ndryshim ka mes “Albania Next Top Model” dhe “Supermodel of Albania”?
Nuk besoj që kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi te “Supermodel of Albania” ka vajza e djem, ndërkohë që ne kemi vetëm vajza; së dyti, konkurrentët te “Supermodel of Albania” nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi sikurse ndodh te “Albania Next Top Model”, vijnë vetëm gjatë ditës së spektaklit, ndërkohë që gjatë javës mund të realizojnë ndonjë set fotografik, kurse ne i kemi 24 orë non stop të vëzhguar nga kamerat pavarësisht se përmbledhjen ditore e kemi 45 minuta transmetim. Vajzat tona janë të vëzhguara, nuk mund të konktaktojnë me telefona apo të kontaktojnë të afërmit. Përgjatë 3 muajve kontakti i tyre i vetëm është me specialistët që i ndihmojnë të bëhen modele. Pra, siç duket, janë komplet dy gjëra të ndryshme. Duhet të shtoj se “Next Top Model” është një patentë që njihet në gjithë botën, ndërsa për “Supermodel of Albania” as vetë nuk e marr vesh se ç’është, a është një patentë e blerë, a është një gjë që e kanë organizuar këtu. Të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë kohë ta ndjek në televizion, ndaj nuk kam edhe shumë informacion për të, por di të them se patenta ime njihet.
Është e vështirë të jesh model në Shqipëri?
Shumë e vështirë.
A kemi modelë në Shqipëri apo kemi të rinj që aspirojnë të bëhen modelë?
Do të thosha të rinj që aspirojnë të bëhen modelë. Nisur nga aspekti fizik, kemi vajza që i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u bërë modele. Të tilla kemi pasur në spektaklin e parë, kemi në edicionin e dytë të “Albania Next Top Model” dhe për të qenë të sinqertë, vajza që plotësojnë këto kushte i shohim çdo ditë në rrugë. Por, siç e dimë të gjithë, Shqipëria nuk të jep mundësi. Nuk ka pagesa, nuk ka aktivitete të shpeshta, kemi disa “agjenci” që organizojnë sfilata ordinere nëpër lokale, gjëra që ndoshta i kanë ulur imazhin modeles në Shqipëri.
Gjithçka mbetet në kuadrin e një pasioni, hobi, apo kthehet në profesionin e jetës?
Ndoshta për sa kohë nuk do kemi formate të tilla si ky që po bëjnë ne, për sa kohë nuk do kemi industri mode, ky angazhim do mbetet thjesht pasion. Ose duhet të shpresojmë pastaj të kemi kontrata me të huajt.
Mirë modelë, po stilistë kemi në Shqipëri?
Mendoj se po, pavarësisht se edhe stilistët duhet t’i përshtaten vendit, pasi puna e tyre nuk është e tillë që ata kanë mundësi të angazhohen gjithë sezonin për një sfilatë në javën e modës. Për këtë nuk besoj se është faji I stilistëve, por është faji i tregut në Shqipëri. Këtu duhet të mbijetosh, kështu që veç “Javës së Modës” që organizohet në Tiranë, stilistëve u duhet të bëjnë edhe rrobaqepësin. Por, megjithatë mendoj se stilistë të talentuar ka. Sa mundësi të jep vendi ynë, kjo është tjetër gjë. Po i përshtaten artistët, të gjithë njerëzit…
Ju drejtoni edhe revistën “AS”, ndërkohë që po dëgjojmë çdo ditë për revista të ndryshme, të thuhet: revista që dikton modën në Shqipëri etj. Duket sikur të gjitha e diktojnë modën te ne…
Varet. Revista “AS” ka qenë e para vetëm mode në Shqipëri. E them këtë sepse unë kam pasur agjencinë e modeleve “AS”, pastaj nxora edhe revistën vetëm për modelim. Në faqet e saj dhe në kopertinë ka modele të reja, të thjeshta dhe të panjohura, ndërkohë që revistat e tjera nxjerrin personazhe të njohur. Unë nuk mund të quaj revistë mode atë revistë që në kopertinë ofron një personazh të njohur. Revista e modës, jo vetëm duhet të diktojë modën, sikurse thatë edhe ju, por nënkupton edhe faktin që modelëve të rinj që tentojnë të merren me modë, t’u japësh hapësirë. Ne nuk u kemi kushtuar vetëm faqet e brendshme, por edhe kopertinën këtyre të rinjve.
Jo vetëm i keni nxjerrë në kopertinë, por edhe i keni zhveshur nën titullin “Engjëjt e AS” apo jo?
(Qesh). Po, ashtu i kemi quajtur, kanë qenë edhe sfilita promocionale të organizuara në gjithë Shqipërinë për të promovuar këta modelë. Kanë dalë edhe gjysmë të zhveshura, pse jo?!
A kanë komplekse për t’u zhveshur këto vajza?
Unë nuk kam hasur në vajza që kanë komplekse, përkundrazi. Nëse në botë për t’i zhveshur modelet, paguhen shifra marramendëse, këtu nga pasioni i bëjnë edhe pa pagesë.
Tani t’ju pyesim paksa për martesë, si po shkon mes gjithë këtyre angazhimeve që keni marrë përsipër?
Po pres të bëj dasmën e ëndrrave. Celebrimin e kam bërë, por nuk dua të them e martuar, pasi s’dua të heq dorë nga fustani i bardhë. Celebrimi është kryer për çështje dokumentesh, ai djalë është dashuria e jetës sime, jemi bashkë që kur unë isha 16 vjeçe, pra kemi 10 vjet bashkë, kështu që pa diskutim ai është gjithçka për mua.
Mos kërkon ndonjë dasmë princeshash si Kate Middelton me Princin William?
(Qesh). Nuk e di, por pa diskutim që do jetë dasma më e bukur, të paktën për mua, sepse është ajo që kam ëndërruar.
Pra, a do ta shohim Aurelën nuse këtë vit?
Nuk e di nëse do të bëhet këtë vit, pasi për momentin i kam dhënë prioritet punës, por është në planet e mia gjithsesi.
Je marrë me shumë gjëra, ke studiuar Mjekësi, mandej Drejtësi, merresh me televizion, modë. Ku e gjen veten më shumë?
Kam studiuar mjekësi, kam studiuar më pas edhe për Drejtësi, pra dy fakultete që nuk kanë lidhje me profesionin tim. Nuk e di, ndoshta duhet ta kisha gjetur veten në këto dy profesione, por di të them që moda dhe televizioni janë dy gjërat më të rëndësishme për mua. Pastaj gjithë këto gjërat e tjera besoj se do të më ndihmojnë në një të ardhme kur unë s’do bëj dot as modë e as televizion.
Po politika të tërheq, e sheh veten të përfshirë në të?
Po dhe jo vetëm kaq, sepse ndoshta së shpejti do të shihni në politikë Aurelën. Kjo është në planet e mia më të afërta, por për momentin po them vetëm kaq.
Fjoralba Shahaj Standard

