Anxhelina Hadërgjonaj: Në Amerikë shkova për karrierë

Posted on Dec 24 2011 - 11:37am by Berni

Sapo nisi të bënte emër, Anxhelina Hadërgjonaj, e bija e Albërie Hadërgjonajt, e la Shqipërinë për të jetuar në Los Angeles. Disa e gjykuan si të nxituar këtë vendim të këngëtares së re dhe të talentuar (kujtojmë këtu performancën live me “Kjo jetë s’mjaftoi” në “Top Fest 8”, sepse të bëhesh i famshëm, në Amerikë është shumë më e vështirë sesa këtu.

Për më tepër që në Los Angeles, ku Anxhelina jeton me familjen e xhaxhait, ka vendosur të ndjekë një shkollë aktrimi. “E kam menduar mirë këtë punë, kam marrë këshilla nga shumë persona, nga xhaxhai im gjithashtu, dhe do të ishte më mirë që një tipi të ndrojtur si unë – të ndrojtur në skenë jo në jetën e përditshme; shkolla e aktrimit do të më bënte mirë, pasi do më çlironte nga komplekset”, – thotë për “standard” Anxhelina, e cila ka ardhur në Tiranë për festat e fundvitit. Ndërsa haset gjatë angazhimeve ditore me personazhe si Rihanna, Dr. Dre etj., Anxhelina, e cila nuk ka mbushur ende të 19-at, shpreson që Hollywood-i të mos jetë një ëndërr e paprekshme për të, edhe pse është e vetëdijshme që i duhet shumë punë. Sa për djemtë, për ata ka kohë… të paktën kështu na thotë ajo.

Anxhelina, ke ardhur nga Amerika për pushime?

E kisha menduar që më parë që do vija të vizitoja gjatë kësaj kohe familjen, sepse nuk mund të rri dot larg tyre dhe meqenëse mami dhe Beatrix, kushërira ime, ishin pjesëmarrëse edhe në festivalin “Kënga Magjike”, atëherë e prenotova udhëtimin paksa më herët, pra që më 17 nëntor. Do largohem nga fillimi i janarit.

Sa kohë bërë në Amerikë?

3 muaj. Në fakt 3 muaj nuk i kam mbushur akoma, por më duken shumë sepse nuk jam mësuar të rri larg njerëzve të dashur.

Se mos ndërron mendje dhe rri këtu, nuk ikën më?

Jo, jo, edhe pse do kisha shumë dëshirë, por kur mendoj që po investoj për të ardhmen time, atëherë nuk më prishet mendja për të qëndruar këtu.

E ke pasur të vështirë ambientimin?

Nuk mund të them se e kam pasur të vështirë, sepse atje kam njerëz të afërt, por larg mamit, motrës dhe babit është shumë e vështirë të qëndrosh. Pavarësisht kësaj, unë do kthehem sërish në Amerikë, sepse duhet të sakrifikoj për gjërat që dëshiroj të arrij në jetë. Natyrisht, do vij sërish një herë në 3 muaj (Qesh). 

Para se të largoheshe në Amerikë, ti publikove një këngë. Ajo është më e fundit që ke realizuar?

“Ëndrrat e mia” ka qenë realizuar para këngës së “Top Festit”, por nuk e kisha publikuar sepse nuk e kisha menduar se do ikja kaq shpejt në Amerikë. Doja ta sillja me videoklip, por përderisa nuk më doli koha, e publikova vetëm në Youtube, ndërkohë që tani që jam këtu mund të bëj diçka më shumë për publikun, të jem më prezente për ta.

Me kë jeton në Los Angeles?

Unë jetoj me xhaxhanë dhe familjen e tij.

Po vazhdon ndonjë shkollë atje?

Për momentin nuk jam akoma në shkollë, po merrem me kurse në “Millenium Dance Complex” dhe shkollë aktrimi. Të them të vërtetën, jam shumë e zënë sa i takon kohës dhe kur gjej pak momente të lira, flas me mamin, motrën apo me Beatrix-in dhe Argjentinën në Scype. Ndjehem mirë kur i shoh në kamera, më duket sikur i kam afër.

Pse për aktrim, të gjithë do mendonim se do vazhdoje për muzikë?

E kam menduar mirë këtë punë, kam marrë këshilla nga shumë persona, nga xhaxhai im gjithashtu, dhe do të ishte më mirë që një tipi të ndrojtur si unë- të ndrojtur në skenë jo në jetën e përditshme; shkolla e aktrimit do të më bënte mirë, pasi do më çlironte nga komplekset. Dua të ndalem pak te kjo pjesa e emocioneve, pasi në fillim në Amerikë e kam pasur të vështirë duke qenë se njerëzit atje janë aq të hapur, të çliruar, të emancipuar, gjë që në Tiranë nuk e has shpesh. Ndonjëherë më vjen për të qeshur me situatat që krijohen. Ata flasin për gjithçka, edhe për gjëra që ne i konsiderojmë me mentalitetin tonë të turpshme.

Më pas mendon të ushtrosh aktrimin, sidomos që Hollywood-i është shumë afër?

(Qesh) Po, normalisht që do të më pëlqente shumë, por kjo gjë nuk është aq e lehtë sepse atje ka aktorë aq të talentuar . Nëse do zbuloja që do kisha shumë talent në fushën e kinematografisë, do më shtynte shumë për ta ushtruar si profesion.

Do ta lije muzikën për kinematografinë?

Jo, muzikën nuk do ta lija, pse jo nëse do t’i bëja të dyja paralelisht. Muzika në Amerikë më pëlqen shumë dhe nuk ndryshon shumë nga ajo që dëgjojmë këtu, si divat e muzikës Beyonce, Rihanna etj., po ashtu hip-hop, ‘R’N’B, por dëgjohet shumë edhe Country, që nuk është shumë në stilin tim.

Ke pasur mundësi të ndjekësh ndonjë koncert të madh nga afër?

Koncert jo, por party madhështore me njerëz të rëndësishëm të artit, producentë etj., po.

Je njohur me personazhe të rëndësishëm, je prezantuar me ndokënd?

Jo, personalisht jo, por xhaxhai im, i cili njeh mjaft njerëz të rëndësishëm, po. Ai më prezanton si mbesën e tij dhe pastaj të tjerët më kushtojnë shumë rëndësi. Duke qenë se unë nuk jam shumë tip i afrueshëm, xhaxhai më ndihmon shumë në këtë drejtim.

Po sikur të shkoje në karaoke, do ta merrje guximin të këndoje?

Çuditërisht në karaoke nuk kam emocione, kurse në skenë po, as vetë nuk di pse më ndodh kështu.

Për çfarë të merr më shumë malli nga Shqipëria?

Për familjen më shumë se për gjithçka, pastaj edhe për miqtë, tani që i takoj këtu e ndjej sa më mungon. E besoni që më merr malli edhe për të folur shqip, sepse me xhaxhain flas ndonjëherë, por ai s’di shumë shqip sepse ka ikur në moshë shumë të vogël në Amerikë. Por, për fat të mirë flas në Scype me të shtëpisë.

Po me personazhe të njohur ndeshesh shpesh?

Po, sidomos në palestër., si psh., Dr. Dre, Nicole Richie, te një kafe pranë shtëpisë ku jetoj kam parë Rihanna-n. Kam afër West Hollyëood, ku ka shumë personazhe të njohur, kështu që të shohësh VIP-a është krejt normale.

Kemi parë nga fotot në Facebook që ke marrë pjesë në disa festa, madje nuk kanë munguar as veshjet disi ekstravagante…

Unë jam tip i ndrojtur, siç thashë më sipër, por nusja e xhajës që më ka inkurajuar me shprehje të tipit, “këtu nuk je në Shqipëri se mos ke frikë që të paragjykojnë”. Ajo foto që keni parë ju është shkrepur në një party “Moulin Rouge”, kështu që veshja i shkonte për shtat.

Po djemtë si të duken atje?

Mirë, shumë simpatike, sikurse edhe vajzat, pasi atje vijnë nga e gjithë bota për t’u marrë me art.

Mos të ka rrëmbyer zemrën ndonjëri?

Jo, jo, unë nuk e kam fare mendjen te djemtë dhe dashuria tani, e kam vetëm te karriera, kjo është arsyeja pse lashë Shqipërinë për Amerikën.

Gazeta Standard

1 Comment so far. Feel free to join this conversation.

  1. genta 27/12/2011 at 22:06 -

    OJ ZEMER PO TI SHKO KA DUSH TI VET JE YLL…LOVE YOUU..

Leave A Response