Anjeza Branka: Im bir, unë dhe i dashuri, një familje e vërtetë

Posted on Sep 29 2010 - 3:56pm by Berni

Një periudhë mjaft e suksesshme dhe e lumtur kjo për këngëtaren Anjeza Branka. Ajo pranon me bindje se ndjehet e realizuar dhe deri tani i ka dhënë jetë çdo objektivi që ka synuar.

Këngëtarja, sapo ka publikuar klipin më të ri, i cili sipas saj ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Kuptohet pjesëmarrja e të dashurit, si protagonist, duket se e bërë edhe më interesant atë.

Lisana Subashi

Sapo keni hedhur në treg këngën dhe klipin tuaj të fundit, i cili duket se ka rezultuar i suksesshëm. Pas saj me se po merreni?

Pasi mbarova videoklipin po merrem me një këngë të re, të cilën sapo e kam përfunduar, nuk po tregoj detaje, sepse dua ta lë surprizë.

Kohë më parë keni theksuar se nuk do merrni më pjesë në festivale. Çfarë ju bëri të ndryshonit mendim?

Po, është e vërtetë, sepse gjithmonë mbetesh e zhgënjyer nga ajo që pret nga vetja, sidomos kur e shikon se publiku të pëlqen dhe të kërkon. Si t’u them, festivali është si sëmundje dhe kur e shikon thua, “pse nuk mora pjesë dhe unë”. Unë kam vite që këndoj dhe nuk e kam më atë problemin që kam pasur më parë, që doja të vlerësohesha me çmim. Unë tani jam shumë e vlerësuar nga publiku dhe nuk e vras mendjen për çmim. Nëse do marr pjesë nuk do marr për çmim, por thjesht për kënaqësi. Edhe nëse nuk marr çmim nuk do ndjehem më e zhgënjyer.

Pjesë e klipit është edhe i dashuri juaj. E kujt ishte kjo ide?

Kjo zgjedhje ishte spontane. Ishte momenti i përshtatshëm që duhej të bëhej me të dashurin me pak fjalë. Nuk ka qenë aspak e menduar. Ato lëvizje që unë kam bërë në klip, unë nuk mund t’i bëja me dikë tjetër, kështu që normalisht zgjodha të dashurin.

Sa e angazhuar keni qenë me koncerte gjatë këtij sezoni veror?

Jashtë mase shumë dhe e ndjej veten ende të lodhur.

Për shkak të kërkesa të shumta keni refuzuar ndonjë ftesë?

Kam refuzuar më shumë se një. Duke qenë se ishin, nga jugu për të shkuar në veri nuk na premtonte koha, gjithashtu ishte dhe shumë e lodhshme. Pastaj dy koncerte të tjera i lashë pikërisht për të realizuar klipin.

Pse zgjodhët pikërisht fundin e sezonit veror për të realizuar klipin, kur ai ka më shumë nuanca që i përshtaten stinës së verës?

Faktikisht që pa filluar vera e kam menduar ta realizoj këtë klip, por duke pasur shumë koncerte e lashë pas dore dhe u përfundua tani në fund të sezonit.

Nga reagimet dhe komentet që keni marrë, ju rezulton se klipi dhe kënga janë pritur mirë nga publiku?

Deri tani është pritur shumë mirë dhe ndjehem shumë e kënaqur nga ana e realizimit, e këngës.

Tani që e shikoni klipin, keni ndonjë kritikë ndaj vetes?

Kritikë nuk kam, por do kisha dëshirë të kisha pak më shumë pjesë tek samba.

Për shkak të angazhimeve të shumta që keni, sidomos gjatë verës, a ju mbetet kohë për të kaluar me familjen dhe veçanërisht me djalin?

Gjithmonë e gjej kohën për familjen dhe djalin, gjithmonë. Mëngjesin e ha gjithmonë me familjen, po ashtu edhe drekën, ndërsa darkën sipas angazhimeve profesionale që kam.

Na flisni pak për marrëdhënien e djalit tuaj me të dashurin?

Marrëdhënia e tyre është si një familje. Ai është mësuar me të dhe mund të themi se jemi si një familje.

Dukeni në formë shumë të mirë. Cili është sekreti i linjave të rregullta?

Sekreti të them të drejtën është se nuk e vras mendjen aspak për kilogramët. Për të ngrënë ha çfarë të dua. Shoqet e mia çuditen se si unë ha aq shumë dhe nuk shëndoshem. Se di e kam dhuratë nga Zoti.

Shkoni në palestër?

Në palestër shkoj, por vetëm një herë javë dhe pastaj mërzitem. E kam emrin të regjistruar në palestër, por nuk është se shkoj.

Po qendrat estetike sa i frekuentoni?

Qendrat estetike i frekuentoj aty kur më duhen. Nuk shkoj çdo ditë, por një herë në tre javë shkoj për të përmbushur nevojat e mia si femër. Ndërsa për rregullime të përditshme, jo.

Kujdeseni shumë për imazhin tuaj?

Sigurisht që po. Një femër mos të kujdeset për veten, i bie të mos jetë femër. Nuk është problemi se unë jam person publik, por edhe nëse nuk do isha person publik, gjithmonë duket të kujdesesha për veten.

Kur jeni tek parukierja ndërhyni shumë në punën e saj?

Kur jam tek një parukiere gjithmonë ia tregoj përpara se çfarë dua. Nëse e kuptoj që në momentin e parë se nuk më pëlqen më mirë i them lërë fare. Kjo ndodh kur jam larg me koncerte dhe nuk i njoh parukieret.

Po për zgjedhjen e rrobave vetë kujdeseni?

Po vetë gjithmonë. Mendoj diçka dhe si e mendoj unë ashtu e realizoj.

Shpenzoni shumë për veshje dhe aksesorë?

Normalisht shpenzoj. Duhet të shpenzoj, sepse nuk mund të kem atë që e ka një person normal. Nëse dikush sheh një aksesor që e ka dhe dikush tjetër, këtu  tek ne menjëherë nisin komentet. Unë duhet t’i shoh gjërat që të jenë të veçanta.

Fakti që jeni person publik e shton kujdesin që ju duhet të keni ndaj vetes?

Normalisht që po.

Shumë koncerte, shumë angazhime. Po për pushime ka gjetur kohë Anjeza?

Po, kam në mendje të iki me pushime, sepse jam lodhur dhe dua t’ia dhuroj vetes dy javë pushime me të dashurin tim.

Dhe ku do shkoni?

E kemi lënë të shkojmë në Turqi, tek hotel “Adam&Eva”. Më kanë thënë që është shumë mirë dhe them se do kalojmë shumë bukur.

Cilësoheni si një ndër këngëtaret që keni marrëdhënie shumë të mira me kolegët. Sa e vërtetë është kjo?

Po është shumë e vërtetë. Unë marrëdhëniet me kolegët gjithmonë i kam pasur dhe do t’i kem mirë, por jo vetëm me kolegët, por me të gjithë njerëzit që më rrethojnë.

Keni pasur ndonjë koncert jashtë Shqipërisë?

Këtë verë ia kam kushtuar Shqipërisë. Duke qenë në bregdete, ku kam oferta në Shqipëri mund t’i shfrytëzoj edhe për punë edhe për një ditë plazh. Përsa i përket dimrit, normalisht që do të jem në diasporë.

Sa e realizuar ndjeheni deri tani në aspakëtin profesional?

Unë ndjehem as shumë lart, as shumë poshtë. Ndjehem në nivelin e duhur.

I keni arritur ato objektiva që keni synuar deri tani?

Po, i kam arritur dhe nuk kërkoj më shumë, sepse nëse do arrij majat do mërzitem me veten dhe nuk do di se çfarë të bëj më.

Ju si këngëtare mendoni se vlerësoheni aq sa duhet?

Unë ndjehem e vlerësuar nga ana e publikut dhe kjo më bën të ndjehem shumë mirë. Nuk ndjehem shumë e vlerësuar nga ana e festivaleve, siç e kam thënë gjithmonë, por që nuk më bën më përshtypje. Me pak fjalë duhet të përshtatesh dhe të mësohesh me vendin ku jeton dhe unë këtë gjë kam bërë?

Ka këngëtarë që shpesh zhgënjehen, sepse mendojnë se festivalet shqiptare gjykojnë pa të drejtë. Jeni dhe ju e këtij mendimi?

Unë nuk mund them diçka konkrete, sepse nëse nisem nga vetja, mbase unë nuk kam qenë në nivelin e duhur për të marrë çmim, por kur publiku të vlerëson është shumë e rëndësishme, ndaj po e përsëris. Për shembull, trofeun unë mund të shkoj ta bëj dhe vetë dhe ta mbaj në shtëpi. Ka shumë këngëtarë që kanë marrë çmime në festivale dhe nuk janë më, nuk duken. Unë nuk  kam marrë shumë çmime, por gjithë kohës publiku më thërret dhe më kërkon. Ky fakt mua më bën të ndjehem e vlerësuar dhe të mos marr në konsideratë çmimet që jepen në festivale të ndryshme muzikore.

Game Over

Leave A Response