Nën vëzhgimin e qindra kamerave, por edhe mijëra teleshikuesve, aktualisht në Kosovë po ndiqen me interesim spektaklet si ai “Big Brother” e “Shpija”. I pari është një reality shou i përvitshëm, i cili po mbahet në Shqipëri, ndërsa i dyti po organizohet nga kosovarët në Kosovë, në tentativë për t’i ngjarë të parit. Po se sa ndiqen këto spektakle nga këngëtarët tanë, “Infopress” ka pyetur Agim Gërgurin, Genta Ismajlin, Hana Cakulin e Kaltrina Selimin.
Vitin që lamë pas, ai përjetoi direkt emocionet që mund të sjellë një spektakël siç është “Big Brother” apo “Shpija”. Gjatë ditëve sa qëndroi i mbyllur brenda katër mureve të ‘Shpisë së Kosovës’, rok këngëtari Agim Gërguri shpalosi shumë vlera e dha shumë emocion për qytetarët e Kosovës. E vlerëson si një eksperiencë të mirë të tij, ndërsa tani kur spektakli po vazhdon të zhvillohet në të njëjtën shtëpi, por që banorë të tanishëm janë disa të rinj, qytetarë të thjeshtë, Agim thotë se për shkak të mungesës së kohës nuk po mund t’i përcjellë.
Agim Gërguri: Në Kosovë nuk ka debate
“Në mungesë të kohës, s’po mund t’i përcjell. Por, ndodh shumë rrallë t’i shoh, e sigurisht nëse kemi rrymë. Por, dua të jap një koment në përgjithësi, për spektaklet që po zhvillohen aktualisht. E vërteta është se këto kanë lindur në Holandë si ide, sepse rinia atje filluan të krijojnë grupacione nga nivele të ndryshme. Dhe në mënyrë që t’i ofrojnë të rinjtë me njëri-tjetrin dhe të mos bëhen ndasi të tilla, u krijuan spektakle të tilla. E tash sa kanë ndikim në Kosovë këto që aktualisht po ndodhin, nuk e di! Është interesante se aty po njoftohen tipa të ndryshëm të njerëzve, por në Kosovë nuk po ka debate. Mendoj se aq sa e kanë nivelin e lexueshmërisë banorët aty, aq edhe po shprehen. Për gjynah!”, vlerëson këngëtari Agim Gërguri, ndërsa shton se: “Mendoj që ata që lexojnë dhe mësojnë, nuk hyjnë aty”.
Genta Ismajli: Rast i mirë për të shprehur lirinë që kanë
Edhe këngëtarja Genta Ismajli tregon për mungesë kohe, ani pse do të donte t’i shikonte kohë pas kohe ndodhitë që bëhen në të dy ‘shtëpitë’. Por, kjo e fundit vlerëson lart spektakle të tilla, të cilat do t’i mundësonin të rinjve të shprehin lirshëm gjithçka që ata i karakterizon. “T’ju them të drejtën nuk i kam përcjell sivjet për asnjë moment, pasi nuk kam pasur kohë që t’i përcjell ato. Por, po më pëlqen që kanë bërë emisione të tilla në shqiptari në përgjithësi, sepse njerëzit në “Big Brother” po mund ta shprehin vetveten dhe po mund të japin mesazhe të ndryshme. Aty gjithçka jetohet si në përditshmëri. Aty ha qysh mundësh, rri qysh mundësh dhe shpreh ndonjë problem apo çka do qoftë, në mënyrën qysh ti do. Aty njerëzit mund ta shprehin vetën lirshëm, një shpirt i lirë, ani pse ka kamera apo shikohen nga njerëzit jashtë. Kosovës i mungojnë spektakle ku njerëzit dalin dhe shprehen lirshëm, apo janë tepër pak, siç është “Oksigjeni” për shembull”, shprehet për fund Genta.
Mst: Hana Cakuli: Mund të mësojmë nga të mirat dhe të këqijat aty
Këngëtarja Hana Cakuli e vlerëson lart spektaklin “Big Brothër”, i cili, sipas saj, është shumë kreativ. Ndonëse nuk ka shumë kohë të merret shumë me spektakle të tilla, mbrëmja e së shtunës është një mundësi e mirë për të qenë më afër banorëve të ‘shtëpisë më të madhe në Shqipëri. “Të them të drejtën nuk i ndjek rregullisht, sepse nuk kam kohë, por momentet kur i shikoj, janë momentet e spektaklit. P.sh. të shtunën mbrëma “Big Brother” më pëlqen ta ndjek, sepse është shumë kreativ me gjithë idenë që e përdorin për t’i vënë në provë disa banorë të “Big Brother”. E sa u përket emisioneve të tjera të tilla, në fakt nuk i ndjek. Por, në përgjithësi mendoj se janë prova shumë të mira, jo vetëm për banorët që ndodhen brenda, por për të gjithë ata që i shikojnë, e që mund ta gjejnë vetën dhe të mësojnë nga gabimet e atyre dhe të mësojnë nga sjelljet që bëjnë brenda edhe gjatë momenteve dhe sfidave të ndryshme që i kanë në shtëpi”, thotë këngëtarja, ndërsa shton se për mendimin e saj janë spektakle nga të cilat mund të mësosh. “Më duket se nuk janë kot, edhe pse nganjëherë mendoj se është e tepërt të jetë transmetimi gjatë tërë kohës, por ndoshta edhe kjo mënyrë është e duhura për t’i vënë në provë edhe më shumë banorët”. Hana nuk ka ndonjë të preferuar sa i përket banorëve në “Big Brother”, por bën me dije se janë ‘lojërat’ e ndryshme që e joshin ta ndjekë atë. “Nuk kam ndonjë të preferuar, por më pëlqen ndoshta loja dhe mënyra se si sillen me njëri-tjetrin”. E pyetur se a do të provonte një eksperiencë të tillë, Hana mohon se të pranonte diçka kësisoj. “Nuk ma merr mendja, sepse, e para, nuk kam kohë, por edhe po të kisha, e kam si pikëpyetje, sepse nuk e di se çfarë do të përfitoja nga ajo gjë. Mua më pëlqen të shfaqem si një këngëtare. E të shfaq jetën time në një shtëpi… pa telefon dhe pa internet, nuk e di a do të mbijetoja?!”.
Kaltrina Selimi: Të bën të qeshësh e të emocionon
Spektakli i së shtunës në “Top Channel” është i preferuar edhe për këngëtaren Kaltrina Selimi, ani pse nuk ndodh që ta shikojë shpesh, ndërsa kur jemi te “Shpija” e Kosovës, këngëtarja bën me dije se nuk ka mundësi ta përcjellë edhe aq. “Për shkak se të dyja janë të ndara në dy rrjete kabllore, nuk kam mundësi t’i shoh të dyja, por, për të mos thënë se i ndjek gjatë ditës, zakonisht më bëjnë më shumë përshtypje spektaklet që mbahen çdo javë. Atëherë kur kam kohë edhe i shikoj, por jo ta kem me patjetër. Më pëlqen organizimi i spektaklit “Big Brother” në Shqipëri. Aty ka gjëra që të bëjnë të emocionohesh, ka gjëra që të bëjnë të qeshësh…është diçka atraktive”, thotë këngëtarja për “Infopress”, ndërsa tregon edhe të preferuarin e saj, njërin nga banorët e “Big Brother”. “Gjatë ditës i kam përcjell shumë pak, kështu që edhe me banorët nuk jam njoftuar. Por, aty ka njerëz inteligjentë dhe mund të mësosh e përfitosh shumë gjëra nga ata. Ka banorë shumë inteligjentë, por pasi këtë të shtune isha me grip dhe pata mundësi ta përcjell ndërsa qëndroja në shtëpi, mund të them se Marieli ndoshta është njëri prej njerëzve më të dashur, jo veç për mua, por besoj që për të gjithë njerëzit. Është shumë i sinqertë… me një fjalë është si fëmijë dhe ndoshta për këtë arsye duket personi më i dashur, më i mirë. Por, ka edhe banorë tjerë që vërtet janë të mirë”. Ndërsa e vlerëson si një spektakël kreativ, Kaltrina thotë se për dallim nga spektaklet e tilla botërore, ky i ka disa limite që banorët nuk i kanë tejkaluar. “E pasi nuk shkojnë në ekstrem as për nga lidhjet aty apo gjëra tjera, nuk besoj që ka diçka të keqe të shikohet apo të përcjellët. Më ka rastisë të shoh “Big Brother” në vende tjera dhe kur e krahasojmë me këtë tek ne, mendoj që gjithçka është në rregull. Nuk ka diçka që teprohet”, shton ajo për fund.
