Një faqe interneti e njohur për publikimin e dokumenteve sekrete të qeverive dhe organizatave të tjera ka publikuar në internet ato që thotë se janë dokumente sekrete të ushtrisë amerikane rreth luftës në Afganistan.
WikiLeaks postoi më shumë se 90 mijë dokumente në internet të dielën dhe thotë se ato mbulojnë një periudhë nga janari 2004 dhe dhjetori 2009.
Dokumentet sekrete të dala në shesh thuhet se përfshijnë detaje për bastisjet e zhvilluara nga një grup sekret i operacioneve speciale amerikane kundër atyre që zyrtarët amerikan i quajnë objektiva terroriste dhe kryengritëse të rëndësisë së veçantë. Disa nga bastisjet thuhet se kanë rezultuar në vrasje të padëshiruara të civilëve afganë.
Mes dokumenteve të publikuara janë edhe ato që thuhet se përshkruajnë frikën se shërbimet e zbulimit pakistanez po ndihmonin kryengritjen afgane.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare James Jones e dënoi publikimin e dokumenteve. Ai lëshoi një dekleratë duke e quajtur nxjerrjen e sekretit “papërgjegjshmëri” dhe se publikimi i tyre jo vetëm që rrezikon jetën e amerikanëve dhe partnerëve të tyre por gjithashtu kërcënon sigurinë kombëtare.
Zoti Jones tha se WikiLeaks nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të kontaktuar qeverinë amerikane, e cila mësoi për publikimin nga organet e shtypit, mes tyre The New York Times, gazeta londineze Guardian dhe e përjavshmja gjermane, Der Spiegel.
Ambasadori i Pakistanit në Shtetet e Bashkuara, Hussain Haqqani, këmbënguli se vendi i tij është tërësisht i angazhuar në luftën kundër kryengritësve islamikë. Ai tha se dokumentet e publikuara nuk reflektojnë realitetin aktual në fushë betejë.