TIRANË- Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, iu deshën 10 seanca gjyqësore për tu bindur se emisioni investigativo-satirik “Fiks-Fare” që transmetohet nga televizioni “Top-Channel” ka cenuar rëndë privatësinë e ish-Ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve z.Ylli Pango duke e provokuar, përgjuar dhe filmuar në mënyrë të paligjshme në ambientet dhe vende intime.
Ishte treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Agim Bendo dhe anëtarët Bledar Abdullai dhe Manjola Doga, që pasi dëgjuan pretendimet e palëve vendosen që televizionin “Top-Channel” t’i paguaj shumën prej 400 mijë euro ish-deputetit Pango në formë dëmshpërblimi për cenimin e privatësisë.
Në sallën e gjyqit përveç treshes gjykuese dhe medias nuk ishin të pranishëm asnjëra nga palët, si paditësi ashtu edhe të paditurit, për të dëgjuar arsyetimin e vendimit të lexuar për rreth 60 minuta nga kryesuesit Bendo në ambientet e njërës nga sallat e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.
Kjo video për të cilën u “dënua” dje televizioni “Top-Channel” u transmetua gjatë emisionit “Fiks-Fare” në mbrëmjen e datës 4 mars 2009, ku tregonte qartazi që ish-ministri Pango kërkonte marrëdhënie intime kundrejt vendit të punës së kërkuar nga një shtetase.
Me të publikuar kjo video kryeministri Sali Berisha vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm nga kabineti qeveritar si dhe Fakulteti i Shkencave Sociale vendosi përjashtimin e tij nga auditori i këtij fakulteti.
Ndërkohë, sipas diapozitivit (shkurtimit) të vendimit të djeshëm, televizioni “Top-Channel” është përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj paditësit Ylli Pango si rezultat i publikimit nga ana e tij e të dhënave të pasakta dhe të vërtetuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ana e palës së paditur.
Është urdhëruar që televizioni të mos publikoi në të ardhmen artikuj, intervista apo komente me të paditurin Ylli Pango, të cilat në mënyrë indirekte, apo direkt mund të dëmtojnë personin e tij.
Detyrimin e të paditurit “Top-Channel” për t’i paguar paditësit Ylli Pango shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën prej 400 mijë euro. Ndërkohë, u vendos rrëzimi i objektit të padisë, për pjesën tjetër që lidhet me kërkimin e shpërblimit tej kufijve të shpërblimit të dhënë pasditen e djeshme nga Gjykata.
Vetë ish-deputeti dhe ish-ministri Pango në kërkesë padinë me nr.2669 të depozituar në gjykatë më 24 shtator 2009 ka kërkuar që pala paditur, të paguaj për dëmin e shkaktuar nga publikimi i të dhënave të pasakta, jo të vërteta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Të mos mos publikoje në të ardhmen artikuj intervista apo komente ndaj Pangos të atilla, që në mënyrë direkt apo indirekte mund të dëmtojnë personin e tij si dhe për të gjitha këto të paguaj shpërblimin e dëmit të shkaktuar prej 1 milion euro.
Për të filluar procesi gjyqësor, Pango ka depozituar në Gjykatë edhe 1 % të vlerës së kërkuar për dëmshpërblim, që kap shumën prej 10 mijë eurove. Pritet që në ditët në vazhdim, pala e “dënuar” në këtë rast t’i drejtohet Gjykatës së Apelit duke kundërshtuar vendimin e dhënë nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Agim Bendo pasditen e djeshme.
VENDIM
Sipas vendimit të djeshëm, mësohet se ka qenë shtetasja me inicialet A.M. e cila i ka kërkuar drejtuesit të emisionit “Fiks-Fare” z.Filip Çakuli që t’i gjente një vend pune. Çakuli pas komunikimit me ish-Ministrin Ylli Pango e ka adresuar vajzën për ta takuar atë në ambientet e ministrisë që ai drejtonte.
Aty është zhvilluar një takim, ku ish-ministri Pango i ka ofruar një vend pune në institutin që ai drejton. Këtë ofertë vajza nuk e ka pranuar, duke e vlerësuar takimin shumë korrekt dhe serioz. Pas këtij refuzimi, me insistimin e drejtuesit të emisionit vajza ka refuzuar të bëjë regjistrimin e bisedave dhe pamjeve filmike gjatë takimit me Pangon.
Më pas, drejtuesi i emisionit e ka futur në lojë vajzën që ish-ministri Pango e njihte shtetasen me inicialet A.N. që tashmë ka fituar azil politik në Francë. Ajo ka filluar komunikimin me ish-ministrin Pango me numrin e telefonit të shtetases A.M. e cila kishte refuzuar të vazhdonte “lojën”.
“Regjistrimet telefonike dhe me pamje vizive janë bërë në mënyrë të paligjshme, veprimet nga emisioni “Fiks Fare” janë bërë me provokime të vazhdueshme ndaj ish-ministri Pango duke konsumuar të gjitha elementet e veprës të cenimit të privatësisë.
Duke mbajtur përgjegjësi civile juridike nga transmetimi i kamerave të fshehta, ku i janë shkelur të drejtat themelore të njeriut, i është shkaktuar një dëm moral, si dhe është provuar fajësia e shkaktuesit.
Të gjitha regjistrimet janë bërë nëpërmjet veprimeve provokuese. Veprim ky i emisionit “Fiks-Fare” që nuk ka të bëje me përhapje idesh, por me çështje shumë intime të paditësit, në zyrë, ambient banimi, etj”-thuhet në arsyetimin e gjykatës.
DISPOZITIVI VENDIMIT TË GJYKATËS
Pranimin e padisë për sa vijon:
Deklarimin e të paditurit “Top-Channel” si përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj paditësit Ylli Pango si rezultat i publikimit nga ana e tij e të dhënave të pasakta dhe të vërtetuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ana e palës së paditur.
Detyrimin e të paditurit “Top-Channel” për mos të publikuar në të ardhmen artikuj, intervist apo a komente me të paditurin Ylli Pango, të cilat në mënyrë indirekte, apo direkt mund të dëmtojnë personin e tij.
Detyrimin e të paditurit “Top-Channel” për t’i paguar paditësit Ylli Pango shpërblimin e dëmit të shkaktuar për sa më lart në vlerën prej 400 mijë euro.
Rrëzimin për pjesën tjetër të padisë, që lidhet me kërkimin e shpërblimit tej kufijve të shpërblimit të mësipërm të pranuar nga gjykata
PADIA E PANGOS
Deklarimi i palës së paditur përgjegjës për shkaktim dëmi ndaj personit si rezultat i publikimit të të dhënave të pasakta jo të vërteta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme
Detyrimin e palës paditur të mos publikojë në të ardhmen artikuj intervista apo komente ndaj palës paditëse, të cilat në mënyrë direkt apo indirekte mund të dëmtojnë personin e tij
Detyrimin e palës së paditur të paguajë shpërblimin për dëmin e shkaktuar në vlerën 1 milion euro
************************************
Skandali seksual, Gjykata i jep të drejtë Pangos. Gjobë 400 mijë euro TCH
TIRANË- Ish-ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango fiton gjyqin ndaj televizionit Top Channel, për çështjen e bujshme të skandalit seksual.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur në favor të Pangos, të cilit tashmë televizioni në fjalë i detyrohet një shumë prej 400 mijë eurosh dëmshpërblim, “për dëmin e shkaktuar ndaj Pangos pas publikimit të videos e cila u konsiderua si skandal seksual”.
Gjyqtari Agim Bendo ka pranuar të drejtë padinë e ngritur nga Pango lidhur me videon e publikuar nga emisioni Fiks Fare, qe u shoqerua pak minuta pas transmetimit me nje urdher telefonik shkarkimi te ish-ministrit nga kryeministri S.Berisha.
Sipas Bendos, publikimi i videos përbën cenim të jetës së personit.
Pas publikimit të videos, Pango bëri edhe padinë ku kërkoi 1 milion euro dëmshpërblim për dëmin që i ishte shkaktuar.
Në videon e publikuar Pango shfaqej në zyrën e tij në Ministrinë e Kulturës, e më pas në banesë, duke i kërkuar favore seksuale një vajze (gazetare e maskuar e emisionit Fiks Fare) në këmbim të një vendi pune në institucionin që drejtonte.
Pango reagoi, duke deklaruar se e gjitha kjo ishte kurth dhe videoja nuk qe shfaqur ashtu si në fakt kishin rrjedhur ngjarjet.