Kryetari i PS-së ishte dje në Berat. Sipas tij, kauza e PS-së është transparenca, liria e lëvizjes dhe çlirimi i ekonomisë
TIRANË – Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka iniciuar dje një tur falënderimi në bazë për mbështetjen që elektorati i dha kauzës së PS-së dhe protestave. Nga qyteti i Beratit, kryetari i PS-së, Rama, ka bashkëbiseduar me anëtarët dhe simpatizantët për situatën aktuale ku ndodhet vendi dhe zgjidhjen e krizës politike.
Gjatë bashkëbisedimit, ai ka falënderuar grevistët e grevës së urisë dhe gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PS-së në Qarkun e Beratit, të cilët, sipas tij e mbështetën maksimalisht grevën. Kreu i PS-së bëri një bilanc të shkurtër të arritjes së këtij procesi që, sipas tij, është i pakthyeshëm deri në realizimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve të vjedhura.
Në këtë bilanc, Rama përmendi ndërgjegjësimin e opinionit publik, brenda dhe jashtë vendit, se këto zgjedhje janë manipuluar e vjedhur dhe se ky pushtet është jo legjitim.
“Bilanci i përpjekjes sonë të madhe, sigurisht nuk ka mbaruar dhe nuk do të reshtë deri në fund të kauzës sonë të përbashkët, sepse është një përpjekje shumë më e madhe se sa thjesht hapja e kutive, sepse është një përpjekje, që shkon përtej kutive të mbyllura apo kutive të hapura. Sakrificat tona i kaluan kufijtë e të zakonshmes, ndaj çështja e transparencës është shtruar për t’u zgjidhur njëherë e mirë.
Tashmë, kjo çështje është shtruar në një tryezë, ku nuk janë thjesht vetëm palët e partive politike, por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët çdo ditë e më shumë po ndërgjegjësohen për zgjidhjen e krizës”, – tha nga Berati Rama.
Më tej, kreu i opozitës u ndal në vlerat që fitoi opozita me këtë lëvizje politike dhe i kujtoi kreut të qeverisë Sali Berisha se duhet të dëgjojë zërin e arsyes dhe të mos ketë frikë nga e vërteta, sado e hidhur të jetë ajo.
“Sali Berisha ka frikë nga e vërteta e hapjes së kutive si djalli nga temjani, ndryshe nuk mund të shpjegohet qëndrimi që ai mban ndaj transparencës së zgjedhjeve, ndërkohë që njerëzit po kuptojnë se çështja e votës nuk është çështje e ngjyrës, që ka qeveria apo e emrave që qeverisin, por ka të bëjë me çështjen e demokracisë e të lirisë së shqiptarëve.
Nga tjetërsimi i votës ka ardhur edhe deformimi i shtetit, kuvendit dhe drejtësisë, është deformuar tërësisht struktura e ekonomisë shqiptare, për faktin që mungon konkurrenca dhe transparenca.
Ne jemi një forcë politike alternativë për të qeverisur vendin dhe nuk kemi nisur një betejë verbërisht, ndaj rruga jonë ka mbështetje të gjerë dhe nuk ka kthim”, – deklaroi Edi Rama. Lideri i së majtës, duke komentuar situatën aktuale, solli në vëmendje 3 arsye përse duhet të vazhdojë beteja për triumfin e kauzës së votës së lirë, të cilat, sipas tij, janë: Transparenca, liria e lëvizjes dhe çlirimi i ekonomisë.