Kompanitë ajrore kanë kritikuar ashpër mënyrën se si autoritetet evropiane e kanë menaxhuar rrezikun nga hiri vullkanik që është endur mbi Islandën dhe kontinentin evropian. Ato thanë se ndalimi i fluturimeve në mbarë Evropën ka qënë i gabuar dhe rrënues për industrinë.

Organizmi i Transportit Ajror Ndërkombëtar, IATA i ka kritkuar udhëheqësit evropianë se nuk kanë vepruar, duke e cilësuar kaosin në transport si një turp.
Zëdhënësi i IATA-s, Giovanni Bisignani, tha se mënyra se si kontrolloheshin në Evropë kompanitë ajrore kishte çuar në situatën kaotike.

Ai shtoi se Evropës i duhej një sistem i ngjashëm me atë që përdor Autoriteti Federal i Aviacionit apo FAA, në Shtetet e Bashkuara.

“Në SHBA, ku kemi shpresh situata të ngjashme, nuk kemi kaos dhe turp të tillë. Atje situata menaxhohet në një mënyrë shumë më efektive.”

“Autoriteti Federal i Aviacionit luan rolin e tij, ai tregon se ku janë zonat ku nuk duhet të fluturohet, por jo që të vendoset një mbulesë mbi SHBA-në”, tha zëdhënësi i IATA-s.
Pasojat mbi industrinë

Kreu i kompanisë British Airëays, Willie Walsh, ishte një prej bosave më të fundit që foli kundër anulimit të fluturimeve në Evropë.

Zoti Walsh që ishte në bordin e avionit të kompanisë që bëri një fluturim provë për tre orë, tha se analizat nuk kishin gjetur efekte negative të hirit në atmosferë.
Ai u kërkoi autoriteteve që t’u lejojmë kompanive ajore vetë të gjykojnë nëse është e sigurt të fluturohet.

Pesë ditë pas fillimit të krizës, Komisioneri Evropian për Transportin, Siim Kallas, tha gjatë një konference për shtyp se nuk mund të bëhej kompromis për sigurinë.

Zoti Kallas tha se kompanitë evropiane ishin përgjegjëse të kujdeseshin për pasagjerët që kishin mbetur në rrugë.

Zoti Kallas tha se Komisioni Evropian ishte duke analizuar pasojat ekonomike te situatës dhe tha se po bënte krahasime me situatën pas sulmeve të 11 shtatorit.

Masa emergjente

Autoriteti gjerman i aviacionit i lejoi kompanisë Lufthansa të kryejë fluturime të gjata për të kthyer në Gjermani pasagjerët e këtij vendi.

Këto fluturime pritet të marrin në bord rreth 15 mijë pasagjerë nga Lindja e Largët, Afrika dhe vendet e Amerikës. Avionët do të ulen në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut dhe Dyseldorfit.

Kryeministri britanik, njoftoi se Flota Detare kishte dërguar anije luftarake për të ndihmuar britanikët që kishin mbetur në mes të rrugës, për shkak të hirit vullkanik prej Islandës.

Një prej tre anijeve të dislokuara është nisur për në Spanjë për të marrë ushtarët britanikë që ktheheshin nga Afganistani.

Ajo mund të transportojë edhe pasagjerët që kanë mbetur të bllokuar për shkak të kaosit ajror që ka prekur prej disa ditësh Evropën.

(c) Gazeta Shekulli