Nuk është penduar për asnjë fjalë që ka nxjerrë nga goja dy javë më parë kundër ish-të dashurit të saj, Seldit, dhe
marrëdhënies së këtij të fundit me këngëtarin Sinan Hoxha. Domenika Çaushaj duket se nuk ka asnjë dyshim tek fjalët e saj, madje është gati të përballet me gjyq me Sinan Hoxhën për të pranuar se ato që ka thënë ndaj tij, janë të vërteta, madje ka gjasa që ajo të sjellë edhe fakte të reja rreth miqësisë së tij me Seldin. Reagimi i Domenikës ka ardhur pas deklaratave të para disa ditëve të këngëtarit, i cili pohoi se do të padiste atë në gjykatë për shpifje. Pra, duket se kjo maratonë akuzash dhe kundërakuzash do të vazhdojë ende. Domenika është gati që të vazhdojë “betejën”, tashmë jo për të zbuluar nëse ish-i dashuri është apo jo homoseksual, pasi versionin e saj e ka thënë, por për të vërtetuar se fjalët që ka thënë, janë 100 për qind të vërteta…!
Domenika
U bë gati 2 javë qëkur ajo dha deklaratën se Seldi është gay. Prej atëherë Domenika Çaushaj nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment. Madje, edhe atëherë kur të gjithë banorët e Big Brother 3 kanë deklaruar se ishin kundër saj, vajza ka preferuar të qëndrojë në heshtje. Por, duket se ka qenë akuza e këngëtarit Sinan Hoxha, e cila e ka zgjuar atë, madje e ka bindur që të flasë. Vajza e Big Brother ka pohuar se është gati të mbrohet kundër akuzave që i janë bërë asaj për shpifje nga ana e këngëtarit dhe ndoshta shumë shpejt do të dalë me një deklaratë, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër. “Në lidhje me ato që ka thënë Sinani në media për mua se do të më hedhë në gjyq, mund të them se nuk është gjë tjetër, veçse presion nga ana e tij. Gjithçka që kam thënë, janë të vërteta dhe e kam bërë me vetëdije”, – ka thënë përfunduar Domenika.
Sinan Hoxha
Të gjithë pritën në fakt që Sinan Hoxha të jepte një deklaratë, e cila ndoshta do të kishte suprimuar këdo, por në fakt, ai vetëm pranoi se nuk ishte homoseksual dhe se deklaratat e Domenikës ishin dashakeqe. Madje, këngëtari ka arritur deri aty sa të deklarojë se do ta padisë për shpifje Domenikën, edhe pse gjatë kohës që ajo ka qenë brenda shtëpisë së Big Brother, ka dërguar 1 mijë mesazhe që të fitonte. “Dërgova 1000 mesazhe që të nxirrja fituese Domenikën në Big Brother, mund ta verifikoni. Unë vetë nuk kam dhënë asnjëherë detaje për jetën time private. Nuk më ka pëlqyer kurrë ta hedh atë në treg”, – ka pranuar këngëtari, i cili theksoi se ka qenë i zhgënjyer nga sjellja e Domenikës (pas publikimit të lajmit) dhe se sjellja e saj ishte skandaloze. Ndërkaq, edhe e ëma e Seldit ka pranuar disa ditë më parë se do të padisin Domenikën që ka akuzuar Seldin publikisht se është homoseksual dhe se fotot ishin të montuara.
Ndërkaq, duke parë që shumica i kanë dalë në mbrojtje për kauzën e tij, Seldi ka preferuar të mos flasë fare, madje i është gëzuar tej mase suksesit të videoklipit të ri duke komentuar mesazhet private që i janë dërguar në adresën personale në Facebook. Në këtë pikë duket sikur ai i ka vendosur kapak gjithë kësaj historie me Domin, duke vijuar jetën normalisht, pra duke iu rikthyer muzikës, aty ku e kishte lënë para se të hynte në Big Brother. Standard